Ka një frymë të përgjithshme sot në vendet perëndimore, që nuk e pranon më rendin e vendosur dikur nga Reagen dhe Thatçer rreth viteve 1980: d.m.th sistemin neoliberal të shoqëruar me globalizmin e kufijve të hapur.
Këtë «flamur» e mbajnë në radhë të parë partitë nacionaliste të Perëndimit dhe të ish- Lindjes europiane, si p.sh në Austri, Francë, Itali, Hungari, Poloni etj.
Njerëzit në këto vende janë tronditur nga mbyllja e uzinave, shoqëruar me humbjen e vendeve të punës dhe transferimin e tyre, së bashku me teknologjinë, në Kinë, Indi etj.
Po ashtu emigracioni i ka bërë vendasit të ndjehen të frikësuar nga krijimi i shoqërive multikulturale, shumëetnike dhe multifetare.
Ata kanë frikën e humbjes së identitetit të tyre kombëtar. Dhe për të mundur këto frikëra ata kërkojnë një «shpëtimtar».
Rusët e gjetën këtë shpëtimtar te Putini, pas zhgënjimeve të tmerrshme dhe vuajtjeve që pësuan në kohën e Jelcinit.
Turqit zgjodhën si sulltan të tyre të ri Taip Rexhep Erdoganin, si garant i stabilitetit dhe rikthimit të Turqisë në kohët e saj të arta.
Por mjaft herë historia ka dëshmuar se shumë herë popujt që kanë kërkuar dhe i kanë besuar një Mesie të tillë janë zhgënjyer keqas.
Gjermanët e frustruar nga kushtet e vëna nga fitimtarët pas humbjes në Luftën e Parë Botërore i hodhën sytë me shumë shpresa te Fyhreri i tyre i ardhshëm Adolf Hitler. Me pasojat që dihen dhe njihen sa për Gjermaninë aq edhe për gjithë botën. Po ashtu italianët te Duçja i tyre!
Por rasti më i fundit në arenën ndërkombëtare që tronditi botën ishte zgjedhja e miliarderit amerikan Donald Trump më 2016 në postin e presidentit të 45 të shteteve të Bashkuara tê Amerikës.
Parulla e tij “Le ta bëjmë Amerikën përsëri të madhe” jehoi ëmbël dhe ngjalli shpresa të mëdha në shumicën e popullit amerikan.
Trump u shfaq para amerikanëve të thjeshtë si mbrojtësi i tyre kundër establishmentit politiko /ekonomik të Uoll Stritit, kundër globalizmit, emigracionit të paligjshëm etj etj.
“Aventura” e tij përfundoi 4 vjet më pas, më 3 nëntor të vitit të kaluar, pas një mobilizimi të paparë të popullit të thjeshtë amerikan.
Sepse u dëshmua se Trump doli më shumë një mbrojtës i Amerikës së bardhë nacionaliste dhe raciste, ndaj një Amerike që kishte ndryshuar shumë nga vitet 1970, ku ëndërronin ta kthenin përkrahësit e tij.
Shumë më pranë nesh, në Kosovën martire, të dielën një politikan i ri, populist dhe inteligjent dhe po aq antiestablishment, fitoi shumicën dërrmuese të votave.
Lufta e tij e pandërprerë kundër ish- klasës së vjetër politike që sundoi Kosovën gjatë 20 vjetëve të fundit pati një jehonë të fortë brenda vendit.
Ish- komandantët e UÇK-së së lavdishme së bashku me ish- partinë gandiste të Ibrahim Rugovës pësuan një humbje të thellë.
Njerëzit ishin lodhur nga kapadailliku i ish- komandantëve që jetonin ende me luftën e para 20 vjetëve, si dhe me ujin e ndenjur që mbizotëronte te LDK-ja.
Ata ëndërronin për ndryshim. Dhe Albin Kurti ua premtoi këtë ndryshim.
Ka premtuar se do të fshijë me fshesë të hekurt praktikat e deritanishme të atyre që mendonin se e kishin kthyer Kosovën në çifligun e tyre dhe nuk ndjenin dhe as ia ndinin për pakënaqësinë dhe zhgënjimin e njerëzve të thjeshtë atje.
Dhe këta të fundit e mandatuan Kurtin me fuqi të plota që të formojë i vetëm qeverinë e re të Kosovës.
Tani pritet të shihet se sa dhe si do të jetë i zoti Albin Kurti të vëjë në jetë politikën e tij anti gjithkujt.
Kundër partive të “vjetra” në Kosovë, kundër ndërhyrjes së ambasadorëve të huaj në punët e brendshme të vendit, kundër presionit ndërkombëtar për të vazhduar bisedimet me Serbinë etj etj.
Por detyra më e rëndësishme e tij ndofta mbetet aplikimi i një modeli të ri ekonomik në Kosovë, që duhet të përmirësojë dukshëm nivelin e jetesës atje, të pengojë largimin e të rinjve drejt Zvicrës dhe Gjermanisë, rritjen e GDP-së kombëtare etj etj.
Kosova kishte nevojë për një ndryshim radikal dhe Kurti e ndjeu dhe e shfrytëzoi këtë kërkesë të brendshme të banorëve të saj.
Por ndoshta tani fillon më e vështira për të. Sidoqoftë Kosova i ofroi atij një shans të paparë të tregojë veten.
Mbetet tani veçse në dorën e tij që të mos zhgënjejë shpresat që u ngjalli zgjedhësve të tij.
Përgatitur për “TemA” nga Viron Gjymshana
