Shitjet online po rriten me ritme të shpejta në Shqipëri, por një pjesë e madhe e këtij tregu vijon të funksionojë në mënyrë informale.
Për këtë arsye ministria e Financave ka ndërmarrë masa të reja, duke propozuar një projektligj që është pjesë e paketës fiskale për vitin e ardhshëm.
Ky draft synon të vendosë rregulla të qarta për të gjitha faqet online që operojnë pa NIPT biznesi ose që nuk deklarojnë të ardhurat.
“Vendosim për herë të parë që bizneset online të publikojnë të dhënat e tyre, si emrin tregtar, NIPT-in, adresën e aktivitetit dhe elementë të tjerë informues. Kjo është një masë që e konsiderojmë të drejtë dhe në shërbim të konsumatorit. AKEP, nëse konstaton shkelje, do të ketë të drejtën të pezullojë aktivitetin e tyre. Me pak fjalë, tregu online nuk do të funksionojë më jashtë rregullave të lojës,” tha ministri Malaj gjatë prezantimit të paketës fiskale në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike.
Paralelisht me rregullimin e tregut online, qeveria po ndërmerr hapa konkretë për të ulur përdorimin e parasë “cash” në ekonomi. Operatorët privatë të sektorit të turizmit dhe transportit do të duhet të pajisen me pajisje elektronike të pagesave (POS), ndërsa bizneset e sektorëve të tjerë do të kenë kufizime të reja për pagesat në cash.
“Pjesa më e rëndësishme e kësaj nisme lidhet me reduktimin e përdorimit të parasë fizike. Bizneset do të kenë mundësi të kryejnë pagesa ndaj njëri-tjetrit deri në 100 mijë lekë, nga 150 mijë që ishte më parë, ndërsa çdo shumë mbi këtë kufi do të kryhet vetëm përmes bankave. Gjithashtu, bizneset do të lejohen të shesin tek konsumatorët mallra deri në 500 mijë lekë me pagesë cash. Deri më 30 maj të vitit të ardhshëm, operatorët në sektorin e transportit dhe turizmit duhet të jenë pajisur me mjetet e nevojshme për pagesa elektronike”, shtoi Malaj.
Ministri Malaj kujtoi edhe incentivat e tjera tashmë të bëra publike faljen e detyrimeve tatimore dhe doganore, rivlerësimin e pronave me 5%, si dhe rimbursimin me 10% të fermerëve për çdo faturë të marrë nga grumbulluesit. Ai shtoi se klubet sportive dhe vetë sportistët do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat që vijnë nga sponsorizimet, një masë që sipas tij do të nxisë zhvillimin e sportit në vend./vizionplus.tv
