Projektbuxheti i vitit të ardhshëm, dokumenti më i rëndësishëm ekonomik i shtetit, parashikohet të jetë rreth 886 miliardë lekë, ose 8.8 miliardë euro. Ai do të vihet në dispozicion të institucioneve publike për të mbuluar shpenzimet nga shëndetësia dhe arsimi, te skemat sociale, investimet në infrastrukturë, drejtësia, bujqësia dhe siguria kombëtare, në kuadër të angazhimeve ndaj NATO-s.

“Të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen në masën 823.1 miliardë lekë ose 29.6% e PBB. Krahasuar me vitin 2025, të ardhurat buxhetore për vitin 2026 parashikohen me rreth 52.9 miliardë lekë më shumë. Shpenzimet Buxhetore, parashikohen në vlerën 886.8 miliardë lekësh, ose 31.9% të PBB-së, me një rritje prej rreth 55 miliardë lekësh, krahasuar me vitin 2025. Pra kemi një rritje me rreth 550 milionë euro më shumë në 2026 në krahasim me vitin 2025”, tha Malaj. 

Një nga risitë kryesore të projektligjit lidhet me pensionet. Qeveria synon të zbatojë një formulë të re rritjeje, e cila parashikon bonuse të përmuajshme. Për këtë qëllim, në projektbuxhet janë planifikuar 100 milionë euro vetëm për shpërblimet mujore, ndërsa 16.5 milionë euro do të përdoren për indeksimin vjetor.

 “Në fund të këtij viti, pensionistët tanë të nderuar, sikundër e kemi premtuar, do të marrin Bonusin e Fundvitit. Në fillim të vitit që vjen, përtej indeksimit vjetor që zbatohet rregullisht, do të ketë edhe rritje mujore të pensioneve, për të arritur deri në fund të mandatit. Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë nga 27,350 lekë që është sot. Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë nga 15,850 lekë që është sot. Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë nga 11,500 që është sot. Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë nga 11,400 lekë që është sot. Pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë që është aktualisht”, tha ministri.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Sa i përket financave publike, projektbuxheti parasheh që borxhi publik në vitin 2026 të arrijë në 14.9 miliardë euro, nga 14.2 miliardë euro që pritet të jetë në fund të këtij viti.

Një tjetër ndryshim me efekt tek qytetarët është vendimi për indeksimin e pagave në administratë në masën 2.5%, masë që zbatohet për herë të parë. Po ashtu, qeveria ka planifikuar fondet që do të mbështesin rritjen e pagës minimale, e cila parashikohet të ngjitet nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë që prej janarit 2026, dhe të arrijë 60 mijë lekë deri në vitin 2028./vizionplus.tv