Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Postribë, ku gjatë një konflikti për motive të dobëta, ndërmjet disa personave, u tentua të vritej me armë zjarri 43-vjeçari Çel Shabaj.
Tre persona janë arrestuar, ndërsa tre të tjerë janë shpallur në kërkim. Në pranga ranë shtetasit Kristjan Kakia, 29 vjeç, Artan Kakija, 28 vjeç dhe Lulëzim Kakija, 24 vjeç, të afërm të njëri-tjetrit.
Ndërsa në kërkim u shpallën shtetasit Z. K., 28 vjeç, F. L., 25 vjeç dhe A. Rr.,25 vjeç.
Policia vijon punën për kapjen e 3 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, vijojnë hetimet për të individualizuar përgjegjësinë penale të secilit prej shtetasve të implikuar në këtë rast.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, kryer në bashkepunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Çfarë ndodhi dje (13 gusht) në Shkodër
Shabaj ishte nisur për të marrë pjesë në një dasmë, por një plumb në këmbë ja pamundësoi pjesëmarrjen.
Shabaj u dërgua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës me një autoambulancë të shërbimit kombëtar të urgjencës dhe pas dhënies së ndihmës nga bluzat e bardha rezulton jashtë rrezikut për jetën.
Shtetasi Çel Shabaj po dilte nga banesa e tij në Postribë dhe në atë moment ka qenë duke ardhur nga Prekali në drejtim të Postribës autori i dyshuar së bashku me dy shokët.
Në atë moment ka nisur një debat mes tyre se kush duhej të kalonte.
Sipas burimeve nga grupi hetimor shtetasi Kristjan Kakija pasi është larguar vetëm disa metra, është kthyer edhe njëherë dhe ka nxjerrë armën duke plagosur 43-vjeçarin.
Në atë moment kanë ndërhyrë pjestarë të tjerë të fisit Shabaj që ndodheshin aty afër të cilët janë përfshirë në një përleshje fizike mes tyre.
Një kushëri i të plagosurit ka arritur që në ato momente t’ia heq armën nga dora autorit të dyshuar i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.