Në Bruksel është hapur godina e Misionit të Shqipërisë në BE. Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamjet nga mbrëmja ceremoniale e hapjes së godinës, ku e pranishme ishte edhe Komisionerja për Zgjerim Marta Kos. Ajo vlerësoi përparimin e Shqipërisë, ndërsa theksoi se e ndjen veten si një ambasadore të Shqipërisë në Bruksel, duke shtuar se detyra e saj është që ta bëjë vendin tonë pjesë të shtëpisë së BE-së. Kryeministri Edi Rama vlerësoi nga ana tjetër mbështetjen e BE-së teksa tha se “dikur binte shi e bënte ftohtë jashtë” ndërsa tani është ndryshe.
Marta Kos: E ndjej veten… ndjesë, si ambasadoren e katërt të Shqipërisë këtu në Bruksel. Po ju po jepni rezultate. Arsyeja e dytë është se ju nuk po flisni vetëm, ju po realizoni. Ne shohim veprat. Nuk jua shpreh dot sa e lumtur jam kur kam mundësi të shpjegoj me fakte që ju keni bërë një përparim vërtet gjigant dhe është e gjitha falë punës suaj. Më pëlqen gjithnjë ta theksoj, nuk ka asnjë proces anëtarësimi pa një udhëheqje të përkushtuar, që nuk i kthehet së shkuarës duke kërkuar të gjejë justifikime se pse diçka është e pamundur, por ju keni një udhëheqje ose keni një udhëheqës, i cili sheh nga e ardhmja që të shquajë apo të kërkojë arsyet e përgjigjet se pse diçka është e mundur. Ky është – dhe do thoja mos më citoni – ky është një nga dallimet më të mëdha midis Shqipërisë dhe disa shteteve të tjera nga Ballkani Perëndimor. Sigurisht, i dashur Kryeministër, i dashur Edi, e kam fjalën për ju dhe do ta mbyll duke thënë: “Kjo është shtëpia juaj e re”. Detyra ime është t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë.
