Kreu i qeverisë, Edi Rama ditën e sotme ka bërë me dije se projektbuxheti i vitit 2026 parashikon një politikë të re pagash për punonjësit e sektorit publik, me indeksim vjetor në bazë të inflacionit.
Krahas kësaj, paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë, ndërsa për, mjekët, infermierët dhe punonjësit e policisë do të ketë shtesa të ndryshme.
Për herë të parë do të përfshihet edhe vjetërsia në punë në sistemin shëndetësor.
Edi Rama: Kam një tjetër lajm shumë të mirë në projektbuxhetin 2026, i cili është fillimi i praktikës së indeksimit vjetor edhe për pagat e punonjësve të sektorit publik, qoftë në nivel qendror qoftë në nivel vendor, të cilat do të korrektohen çdo vit në bazë të inflacionit. Kjo është një politikë e re pagash që e kombinuar me rritjen e përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës miniamle, i shton gati 100 mln euro që në vitin 2026 shumës që mandati i katërt do të vërë në dispozicin të rritjes së fuqisë blerëse. 10.600 punonjës shërbimi, sanitarë, shoferë, teknikë, magazinierë, do të përfitojnë nga rritja e pagës minimale me 10 mijë lekë të reja në muaj.
Për specialist të administratës publike rritja do të jetë 5 mijë lekë të reja. Mësuesit do të përfitojnë pagë 3 mijë lekë të reja më shumë në muaj. Për herë të parë në sektorin e shëndetësisë do të fillojë dhe llogaritja e vjetërsisë në punë. Si mesatare, për mjekët e përgjithshëm nga 131 mijë e 700 lekë në 143 mijë e 500 lekë. Për infermierët nga 87 mijë lekë në 92.500 lekë në muaj. Edhe për punonjësit e policisë së shtetit, përveç indeksimit do të ketë rritje për vjetërsinë në punë. Shqipëria sot është në një niovel tjetër dhe ky fakt do të bëhet çdo vit e më i prekshëm.
