Qytetarët dhe bizneset në Tiranë kanë në dispozicion një instrument të ri informues për detyrimet e taksave dhe tarifave vendore që ata kanë për të paguar.
“Karta e taksapaguesit është një mjet i ri, një përmbledhje e dertyrimeve ligjore që kanë taksapaguesit. Duke patur më shumë informacion, nxitet transparenca dhe pagesa e detyrimeve nga ana e taksapaguesve”, tha Erla Menaj nga drejtoria e Taksave e Tarifave Vendore, Bashkia Tiranë.
Karta e taksapaguesit është e aksesueshme në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore, ndërsa për prezantimin e saj, janë zhvilluar edhe disa takime informuese.
“Takimi i sotëm ishte i treti për prezantimin e kartës së taksapaguesve. Takimi i sotëm ishte me Shoqatën e Ndërtuesve, që kanë kostot më të lartë në lidhje me detyrimet vendore. Shihet si një takim bashkëveprues”, shtoi Menaj.
Gjatë takimit, Shoqata e Ndërtuesve shtroi disa kërkesa për detyrimet që paguajnë, mes të cilave edhe taksa për ndërtesat e vjetra të amortizuara apo edhe përfshirja në paqen fiskale të detyrimeve vendore. Kërkesat do të adresohen zyrtarisht në Bashkinë e Tiranës, në pritje të përmirësimit të këtyre pikave./vizionplus.tv
