Dy iranianëve me shtetësi gjermane u është ndaluar hyrja në territorin e vendit tonë, pas tentativës për të hyrë përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Batool Soltani dhe Afshin Kalantari erdhën disa ditë më parë nga Gjermania me ftesë të një shoqate iraniane me emrin ASILA, përreth së cilës mblidhen kryesisht iranianë që dezertojnë nga MEK, që ndodhet në Manëz. Autoritetet shqiptare kanë kryer deportimin me pretendimin se janë një kërcënim serioz për vendin 72 orë pas mbërritjes në Rinas, ndërsa e njëjta përgjigje u është dhënë edhe autoriteteve gjermane, nga ku janë kthyer.
Ndalimi i dy iranianëve me shtetësi gjermane vjen një javë pas anulimit të samitit vjetor të anëtarëve të MEK, për arsye sigurie, pas kërcënimeve për një sulm terrorist të mundshëm. Anëtarët e MEK pranuan kërkesën e autoriteteve shqiptare për të shtyrë për një moment të dytë samitin.
Iranianët që mbërrijnë në vendin tonë i nënshtrohen një kontrolli të shumëfishtë, me synimin e parandalimit të hyrjes së të ashtëquajturve agjentë të njësisë operacionale sekrete iraniane, KUDS. Këta të fundit, që prej kohës së strehimit të disa mijëra antarëve të MEK, në kampin e tyre në Manëz e kanë vënë në shënjestër të vëmendjes së tyre edhe Shqipërinë. Dy javë më parë me urdhër të SPAK zyrat e shoqatës ASILA u kontrolluan nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pasi ajo është vënë nën hetim për lidhje me regjimin e shtetit të Iranit dhe veprimeve që synojnë cënimin e sigurisë të antarëve të MEK.