Para krizës financiare të 2009-s, prania e Kinës me investime në Ballkanin Perëndimor ishte modeste. Por, me thellimin e kësaj krize dhe tkurrjen e investitorëve perëndimore, vakuumi i lënë prej tyre nisi të mbushej me shpejtësi nga projektet, kompanitë dhe vetë shteti kinez.
Kostoja e tyre është rreth 18.1 miliardë dollarë, pjesa më e madhe e të cilave të dhëna përmes kredive favorizuese në sipërfaqe, por kushtëzuese, lidhëse dhe ndikuese te vendimmarrja dhe sovraniteti i vendit në thelb.
Rasti i Malit të Zi është shembulli më i mirë se si Kina po josh vendet e rajonit me investime për të rritur influencën e vet. Para Malit të Zi, paratë kineze hynë në Greqi, madje ishin një prej burimeve kryesore për Athinën në kulmin e krizës financiare që goditi këtë vend pas 2009-s.
Në Bosnje, kinezët kanë marrë në dorë energjinë dhe investimet janë rritur. Shqipëria? Në rastin e Shqipërisë interesi i investitorëve kinezë ka rënë në pesë vitet e fundit. Me largimin e kompanisë që kishte në zotërim Rinasin, aktualisht investimi më i madh kinez në vendin tonë mbetet Bankers Petroleum.
Në Maqedoninë e Veriut, Kina ka shfaqur pak interes për të investuar, nxitur nga shqetësimet e vazhdueshme të sigurisë dhe stabilitetit qeverisës e politik atje, ndërkohë që Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku mungojnë totalisht investimet kineze.