Dy ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike me llamba janë zbuluar nga policia në fshatin Bajzë, Malësi e Madhe.
Në kuadër të operacionit “Neonët 2” u arrestua 22-vjeçari Daniel Buraj si dhe u shpall në kërkim babai itij, Sokol Buraj.
Gjithashu nën hetim u vu nëna e të riut. Dy punonjës të OSHEE-së Ersid Çulaj dhe Ferndinand Dedaj u arrestuan për shpërdorim detyre, ndërsa dy kolegë të tyre u vunë nën hetim.
Gjatë kontrolleve në banesën e këtyre shtetaseve dhe në një banesë të pabanuar në fshatin Bajzë, të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 119 bimë dhe 168 fidanë të dyshuar narkotikë, 515 gramë lënde të dyshuar narkotike Cannabis sativa, municion luftarak, 1 armë të ftohtë (thikë), 49 llamba, 47 pajisje elektrike inverter, 3 aspiratorë, 2 filtra ajri, 2 automjete dhe 9 celularë. Gjatë kontrollit në banesën e pabanuar, u konstatua lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Gjithashtu, gjatë kontrollit në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Sokol Buraj u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 138 arka dhe shishe me pije të ndryshme alkoolike, të dyshuara të kontrabanduara.
Vijon puna për kapjen e shtetasit Sokol Buraj dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
