Pamjet e fundit nga zona e urës së Maliqit tregojnë se grumbullimi i mbetjeve plastike, kryesisht bidona, por edhe kashtore, të hedhura përgjatë lumit Devoll, janë shndërruar në një pengesë serioze për kalimin normal të ujërave në portat e urës.
Këto mbetje, të mbledhura nga rryma e lumit gjatë rreshjeve të dendura, kanë bllokuar qarkullimin natyral të ujit, duke bërë që niveli të rritet dhe të kthehet mbrapsht drejt fushës së Maliqit. Ky fenomen rrit ndjeshëm rrezikun e përmbytjeve dhe përkeqëson situatën e krijuar nga prurjet e larta.
Specialistët dhe strukturat në terren theksojnë se, përveç ndërhyrjeve teknike, është jetike që vetë banorët dhe fermerët të tregojnë përgjegjësi të shtuar ndaj mjedisit. Hedhja e mbetjeve urbane në lumin Devoll jo vetëm ndot ambientin, por krijon pasoja të drejtpërdrejta në ditë me rreshje të jashtëzakonshme, duke rrezikuar tokat bujqësore dhe infrastrukturën./vizionplus.tv
