Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njofton me hidhërim të thellë bashkësinë e shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqtë dhe kolegët e tij të shumtë brenda e jashtë vendit, për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Becit, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.

 

Akademia e Shkencave u shpreh ngushëllimet e saj të thella familjes e të afërmve, anëtarëve të Asamblesë – familjes shkencore të tij – bashkëpunëtorëve të shumtë, studiuesve dhe studentëve.

 

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Bahri Beci u lind në Shkodër në vitin 1936, në një familje me tradita atdhetare. Menjëherë pas mbarimit të studimeve universitare (1958) u emërua kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ku kreu detyra të rëndësishme drejtuese, si përgjegjës sektori e drejtues projektesh, sekretar shkencor dhe drejtor.

 

Në funksion të qëllimit të formimit të një brezi të ri studiuesish Bahri Beci u dërgua për specializim në Paris, ku mbrojti doktoratën me temën “Le système vocalique et consonantique du parler de la ville du Shkodra” / “Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës”. Më pas, me kthimin në Tiranë, përfundoi disertacionin e shkallës së parë me studimin ”Të folmet e gegërishtes qendrore” dhe disertacionin e shkallës së dytë me studimin “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës”.

 

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Veprimtaria universitare e Bahri Becit shtrihet në disa vende, duke përfshirë Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris INALCO. Bahri Beci është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i redaksisë së “Atlas Linguorum Europae” (ALE).

 

Fusha kryesore e veprimtarisë shkencore-kërkimore të Bahri Becit ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes. Brenda kësaj problematike vend qendror zunë studimet dialektologjike për të folmet veriperëndimore dhe qendrore të shqipes (Shkodër, Dibër).

 

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Bahri Beci mori pjesë si delegat dhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit (1972) dhe është autor i dy studimeve monografike për proceset njësuese në formimin e shqipes letrare të sotme. Si studiues në gjuhësinë ballkanologjike Bahri Beci ka lënë gjurmë me kontributet për pozicionin e shqipes në lidhjen gjuhësore ndërballkanike.

 

Bahri Beci sintetizoi arritjet e punës së tij në vepra me karakter normativ. Vepra shkencore e Bahri Becit karakterizohet nga sinergjia e studiuesit në ekspeditë kërkimore dhe njëherësh në një proces formimi të thelluar bashkëkohor perëndimor.

 

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Homazhet e lamtumirës për akad. Bahri Becin do të bëhen ditën e martë, 22 gusht 2023, nga ora 09.00-11.30, në Akademinë e Shkencave, salla “Aleks Buda”, dhe në orën 12.00 përcjellja për në banesën e fundit.