Nga 1 janari i vitit 2026, një tjetër grup biznesesh do të liberalizohet, duke dalë në tregun e lirë të energjisë elektrike.
“Janë rreth 2.400 abonmentë të lidhur në nivel tensioni 6 kilovolt. Që nga janari 2026 duhet të kenë një furnizues të tregut të lirë. Një nga këta është edhe FTL”, tha Furnizuesi i Tregut të Lire Albi Gjenerali.
Furnizuesi i Tregut të Lirë është një ndër operatorët që bizneset mund të lidhin kontratë për energjinë elektrike.
“FTL ofron 18.36 lekë pa TVSH, ky çmim do të ngelet fiks edhe gjatë 2026. Ndërsa furnizuesit e tjerë janë të shfaqur në ERE, mund të jenë me çmim më kompetitiv, por historia ka treguar që nuk kanë qenë seriozë për sigurimin e energjisë gjatë gjithë vitit. Kemi kontrata me rreth 4 mijë subjekte në nivele 35, 20 dhe 10 kilovolt” , shtoi ai.
Me daljen e grupit të fundit të bizneseve në tregun e lirë të energjisë në janar, do të mbyllet edhe procesi i liberalizimit, i nisur që prej vitit 2018.
Furnizimi në treg të lirë do të thotë që shteti nuk është më i detyruar të furnizojë këta abonentë sepse konsiderohen si mjaftueshëm të aftë për të gjetur kompani dhe për të negociuar kontratat e tyre me çmimet përkatëse të tregut, sipas ecurisë së bursave./vizionplus.tv
