Aranit Kurti, 23 vjeç dhe Flori Paluçi, 33 vjeç u vranë me armë zjarri pas një sherri për motive banale në Manzë të Durrësit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 22 tetorit.
Disa ditë pas ngjarjes, mediat italiane kanë zbardhur të shkuarën kriminale të Flori Paluçit në shtetin fqinj.
Sipas mediave, rezulton se Paluçi ishte në kërkim në Itali për tentativë vrasjeje të dyfishtë në Perugia.
33-vjeçari ishte në kërkim lidhur me një ngjajre të ndodhur më 19 qershor përpara një bari në zonën e Vernës në Umbertide, ku dy persona mbetën të plagosur rëndë pas një shkëmbimi zjarri.
Sipas hetimeve nga autoritetet italiane ngjarja ishte e lidhur me përplasje për çështje droge. Pas atentatit, 33-vjeçari, ishte arratisur menjëherë, duke u bërë i paidentifikueshëm për muaj të tërë.
Ngjarja në Durrës
Debati për një kafe u bë shkak për vrasjen e Kurtit dhe Paluçit në Manzë të Durrësit. Ngjarja tronditëse ndodhi rreth orës 01:45 të mëngjesit, në një lokal në afërsi të një pike karburanti.
Daniel Pepa dhe shoku i tij Aranit Kurti hynë brenda dhe i kërkuan kamarierit Alteo Pepa të shërbente kafe, por ky i fundit u tha se e kishte fikur ekspresin.
Kaq mjaftoi që ai të përballej me fjalë fyese nga klientët. Në mes të debatit ndërhyri Flori Paluçi, i cili i doli në mbrojtje kamarierit.
Brenda pak minutave konflikti verbal mes tyre degradoi në përdorimin e armëve. Sipas policisë, Flori Paluçi qëlloi për vdekje Arianit Kurtin 23 vjeç, dhe më pas Daniel Pepa iu përgjigj me armë, duke lënë të vrarë Paluçin 33 vjeç.
Sipas dëshmisë së kamerierit ngjarja ndodhi jashtë ambienteve të lokalit.
“Ishte ora rreth 1:45 në momentin e ngjarjes ishin 5 persona, Daniel Pepa hyri i pari në lokal me shokun e tij dhe më kërkoi kafe, ekspresi ishte i fikur dhe ju thashë që nuk shërbejmë kafe në këtë orë. Ai më ktheu se dua kafe patjetër dhe filloi të më fyente me fjalë të rënda. Nuk e vazhdova më bisedën por nderhyri Flori Paluçi për të më mbrojtur mua, Flori është banor i zonës dhe klient i lokalit, pra e njoh. Aty filloi konflikti fizik mes tyre, dhe dolën përjashta lokalit për ta vazhduar konfliktin. Më pas dëgjova të shtënat mes tyre dhe ndodhi ajo që ndodhi”, tha kamarieri.
Autori i dyshuar, Daniel Pepa, 21 vjeç është aktualisht në kërkim.