Partia Demokratike nis sot protestat kundër qeverisë për herë të parë pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
“Sot, populli opozitar inauguron fillimin e foltores së parlamentit parlamentaro-qytetar para ndërtesës së kryeministrisë me kërkesën e prerë dhe të vetme, dorëheqjen e Edi Ramës dhe Lubi Ballukut si hapi i parë për të ecur drejt një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha kreu i PD-së, Sali Berisha.
Protesta para kryemnistrisë do te fillojë në orën 18:00 dhe parashikohet të zgjasë rreth 2 orë. Në këtë protestë do të flasë kryetari i PD-së, Sali Berisha, rreth 10 deputetë si dhe disa mbështetës së PD.
Përveç kërkesës për dorëheqjen e Edi Ramës dhe numrit dy të qeverisë Balluku, tubimi është konceptuar si një hapësirë ku opozita do të diskutojë për çështje të ndryshme, për të cilat nuk mund të diskutojë në seancë plenare, pasi prej fillimit të legjislaturës mazhoranca në shumicën e seancave ka vendosur të ndërpresë diskutimet e të kalojë në proces votimi.
Protestat e opozitës nuk do të synojnë të kenë pjesëmarrje të lartë, por do të jenë të qëndrueshme dhe burime pranë PD-së bëjnë me dije se ato do të zhvillohen çdo javë para zyrave të kryeministrit Edi Rama, me të njëjtin model si protesta që u zhvillua para bashkisë së Tiranës për rreth 10 muaj.
