Një ditë pas debateve në Kuvend, mazhoranca ka sqaruar dhe një herë ligjin për barazinë gjinore, i cili kaloi në kuvend me 77 vota pro dhe 36 kundër. Ishte relatorja e këtij ligji, deputetja socialiste Iris Luarasi e cila shpjegoi se ky ligj nuk cënon familjen tradicionale por garanton të drejta të barabarta mes burrit dhe gruas.
“Ai nuk krijon kurrësesi gjini të reja, vetëm synon të garantojë barazi reale midis dy gjinive që janë burrë dhe grua.Koncepti i “përkatësisë së shumëfishtë” që referohet në ligj nënkupton diskriminimin e shtuar që mund të përjetohet për shkak të moshës, origjinës etnike, vendbanimit rural, aftësive të kufizuara apo statusit socio-ekonomik”, tha Iris Luarasi.
Gjatë një deklarate nga Kuvendi, ligjvënësja mohoi tërësisht pretendimet që i hapin rrugë termave prindi 1 dhe 2.
“As unë dhe as kolegët e mi të Partisë Socialiste nuk do votonin kurre per nje ligj qe nuk do na jepte mundesine qe femijet mos na therrasin nënë dhe baba dhe termat prindi 1 dhe prindi 2 në ligj janë vetëm një gënjeshtër e shpikur nga ata që nuk e kanë lexuar projektligjin, por besojnë çdo gjë që lexojnë në rrjetet sociale”, shtoi Luarasi.
Mazhoranca theksoi se ky ligj është në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare. Ai nuk imponon ideologji të huaja por zbaton vlera universal të të drejtave universale të njeriut që Shqipëria i ka nënshkruar./vizionplus.tv
