Sistemi i serverave të “Cloudflare” pushoi së punuarit për disa orë në të gjithë botën, duke prekur kështu edhe shumë website shqiptare. Jo vetëm kaq, por edhe platforma e njohur “X” ka ndaluar së funksionuari.
“Cloudflare” mohoi që ndërprerja të ketë ardhur si pasojë e ndonjë sulmi kibernetik, ndërsa theksoi se po punonin për zgjidhjen e situatës dhe se rasti ishte nën hetim.
Lidhur me këtë, ka reaguar edhe Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, i cili në një postim në Linkedin ka rekomanduar përdoruesit e web-siteve që të rrisin vigjilencën dhe të tregojnë kujdes.
Deklarata e plotë:
Sipas raportimit zyrtar të platformës ndërkombëtare “Cloudflare”, më datë 18 nëntor 2025, ndodhi një incident me ndikim global që shkaktoi ndërprerje të konsiderueshme të shërbimeve të kompanisë, përfshirë rrjetin global të Edge, API-të dhe disa komponentë të tjerë kritikë të platformës. Problematika filloi rreth orës 12:48 dhe u shkaktua nga një problem i brendshëm që ndikoi drejtpërdrejt në disponueshmërinë e shërbimeve.
Ndikimi u reflektua edhe në vendin tonë, ku disa institucione dhe sektorë patën vështirësi në aksesimin e faqeve dhe shërbimeve digjitale. Rreth orës 15:42 Cloudflare ka raportuar se kjo problematikë është e përkohshme dhe se kompania është duke punuar për kthimin e të gjitha shërbimeve në normalitet.
Për sa më sipër, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) rekomandon rritje të vigjilencës për përdoruesit që kanë shërbime në këtë platformë, si dhe kryerje të kontrollit të vazhdueshëm për disponueshmërinë e tyre.
Gjithashtu, rekomandohet identifikimi i shërbimeve të prekura për ndonjë problematikë pas ndërprerjes. Për më tepër, sigurimi i mekanizmave që lejojnë të paktën funksionimin bazë dhe në rast se shërbimet e ofruara nga Cloudflare nuk janë aktive, do të ulte rrezikun e prekjes nga kjo ndërprerje.
AKSK mbetet i angazhuar për të garantuar sigurinë e infrastrukturave të informacionit në vend dhe për të informuar publikun në kohë reale mbi çdo rrezik të mundshëm./vizionplus.tv
