Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit kanë shkatkuar përmbytje masive sidomos në qarkun e Lezhës.
Situata më kritike paraqitet në Kurbin dhe Mamurras ku prurjet e mëdha të ujit kanë marrë përpara çfarë kanë gjetur.
Si pasojë në fshatrat Fushë Mamurras, Drojë, Zhejë, Shpërdhet dhe Sh’mëri të Njësisë administrative Mamurras janë më të prekura nga e prurjet e mëdha nga lumi Drojë dhe kanalet kulluese që kanë dalë nga shtrati.
Aktualisht, rreth 50 banesa kanë prezencë uji.
Mjetet e rënda të bashkisë janë në terren, por ka vështirësi në qarkullim në disa akse, përfshirë nënkalimin e Fushë Mamurrasit, ish-rrugën nacionale në Gjorëm dhe zonën e Sh’mërit. Në Milot, rrugët e fshatrave Skuraj, Vinjollë dhe Gallatë janë të pakalueshme, ndërsa 50 banesa kanë prezencë uji.
Nënkalimi i superstradës në fshatin Ishull-Lezhë është aktualisht i pakalueshëm për shkak të ujit. Ndërkohë, mësimi në territorin e bashkisë Lezhë vijon normalisht.
Energjia elektrike ndërkohë është rikthyer në disa fidera që furnizojnë Ishull Lezhën, Gjadrin, Torovicën, Kakarriçin dhe Mabën. Vetëm në fshatin Dajç vijon puna nga ekipet e OSHEE.
Në aksin e rrugës Skuraj – Burrel rrënja e gurëve në rrugë dhe shkarjet e dherave nga malet, ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.
Reshjet e shiut që kanë nisur prej mbrëmjes së kaluar kanë shkaktuar probleme të shumta edhe në Qarkun Dibër.
Më e prekur nga shtrëngatat e shiut ishte Bashkia e Matit, ku pati probleme me rrugët rurale dhe përmbytje të banesave.
Në digat e Fanit dhe Ulzës prurjet janë rritur ndjeshëm, por sipas autoriteteve nuk është arritur niveli kritik që kërkon hapjen e portave. Situata vijon të monitorohet në mënyrë të pandërprerë.
