Shqipëria hyri këtë të hënë në një prej fazave më vendimtare të rrugëtimit evropian, duke hapur negociatat për grupkapitullin e fundit ”Bujqësia dhe Kohezioni”.
Për kryeministrin Edi Rama, i cili kryesoi delegacionin shqiptar në BE, ky është një moment historik, ku Shqipëria del me krenari nga faza e parë e negociatave dhe hyn në një etapë të re me më shumë përgjegjësi.
Rama: Kush do ta mendonte që do të ishim këtu sot, duke çelur të gjithë grup kapitujt, vetëm pak kohë më parë, ishte diçka që dukej e pamundur. Ishim në pikën ku po mësoheshim me sprapsjet, por unë besoj se i gjithë ai rrugëtim na bëri më të fortë, më të vetëdijshëm dhe më të pjekur. Me atë që ishte vetëm ëndërr, pak më tepër se një vit më parë, është plan pune, realitet.
Komisionerja e BE, Marta Kos, vlerësoi progresin e vendit tonë, duke theksuar se Shqipëria ka dëshmuar gatishmëri dhe seriozitet.
Kos: Ky sukses nuk do ishte i mundur pa angazhimin e Shqipërisë dhe mbështetjen e gjithë shteteve anëtare. Jemi të përkushtuar ta sjellim Shqipërinë në BE, suksesi është i Shqipërisë, rezultat i punës së autoriteteve për zbatimin e reformave të rëndësishme. Është rezultat i qytetarëve shqiptarë që kërkojnë ndryshim dhe i mbështesin këto ndryshime.
Në përfundim të konferencës nuk mungoi as festa, që simbolizoi hapjen e të gjithë grupkapitujve të negociatave. Një tortë me numrin gjashtë u dhurua nga Marta Kos, si simbol i festës.
Ndërsa kryeministri Rama shtoi në tryezën e festës verë autoktone shqiptare , të cilat ua dhuroi zyrtareve të Brukselit.
Konferenca e kësaj të hëne, është e fundit në ciklin e hapjes së të gjashtë grupkapitujve, që pritet të hapin rrugën e përmbylljes së procesit teknik deri në vitin 2027-te. Pas kësaj etape, vendi yne do të kalojë në procesin politik të integrimit.
