Prej disa ditësh, qytetarët që përdorin linjën e transportit publik Kamëz-Tiranë dhe Tiranë-Paskuqan kanë filluar ta paguajnë 25% më shumë çmimin e biletës. Kreu i Shoqatës së Transportit Publik, Dashnor Mema, rendit arsyet pse u mor ky vendim.

“Transporti publik prej vitesh ka njohur humbje në aspektin financiar. Bashkia Tiranë, prej gati tre vitesh, ka subvencionuar sektorin, ndërkohë që bashkitë e tjera nuk e kanë bërë këtë gjë. Kishim dy mundësi, ose të mbyllnim transportin, ose të rriteshin çmimet. Ne prej kohësh u kemi kërkuar institucioneve mbështetje financiare, por ajo nuk erdhi kurrë. Operatorët, në fakt, kërkuan ndryshimin e çmimit për të gjitha linjat e transportit, por u pranua vetëm për këto dy linja, për shkak se kanë gjatësinë më të madhe rrugore që përshkojnë,” shprehet Dashnor Mema.

Në planet afatgjata pritet që edhe shërbimet e linjave të tjera të transportit publik, që operojnë në kryeqytet dhe jo vetëm, të njohin një rritje të çmimit.

“Nëse do të ketë një ndërprerje të subvencionit nga ana e Bashkisë së Tiranës për sektorin e transportit publik, normalisht do të ketë një rishikim për rritjen e çmimeve të biletave. Por për sa kohë që subvencionet do të jenë të pranishme, nuk priten ndryshime, pasi kjo është marrëveshja: ose subvencione, ose rritje të çmimit të biletave dhe aboneve,” shton zoti Mema.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Sipas të dhënave nga Bashkia Tiranë, transporti publik në kryeqytet përdoret nga rreth 200 mijë qytetarë në ditë, ku një pjesë e mirë e tyre janë pensionistë që e përfitojnë falas këtë shërbim .

/vizionplus.tv