Policia e Fierit në bashkëpunim me Prokurorinë Fier ka finalizuar pas katër muajsh hetime operacionin e koduar “Imazheria” dhe ka vënë në pranga një mjek imazherist në spitalin rajonal të Fierit.
Policia njofton se mjeku u merrte shuma parash pacientëve për të kryer ekot.
Sipas njoftimit, u vu në pranga për veprën penale të dyshuar “Shpërdorimi i detyrës” dhe ”Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” shtetasi G. T., 66 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek imazherist në spitalin rajonal Fier.
Ky shtetas u kap në flagrancë duke marrë një shumë parash një pacienti që do të kryente ekon abdominale.
Gjithashtu, ky shtetas, shpërdoronte detyrën pasi gjatë orarit zyrtar të punës, vizitonte pacientë në 2 klinika private në Fier.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u sekuestrua si provë materiale, shuma e lekëve që 66-vjeçari i mori qytetarit, në kundërshtim me ligjin si edhe shuma prej 1.857.000 lekë të reja, 39.155 euro, 2.370 paund dhe 75 dollar që iu gjetën gjatë kontrollit të banesës.
