Shfaqja e rasteve të para me mutacionit Mu, ndërkohë që të infektuarit po rriten dita-ditës, ka alarmuar Greqinë fqinje. Pak pasi Organizata Botërore e Shëndetit njoftoi se po mbikëqyrte një mutacion të ri me origjinë nga Kolumbia, vendi fqinj raportoi 6 të infektuar më këtë variant, i cili po përhapet gjerësisht në të gjithë Europën.
Ekspertët grekë thonë se nga rastet e para, ky mutacion nuk duket të përhapet aq lehtësisht sa varianti Delta, por se po infekton edhe ata që kanë imunitet.
Shfaqja e tij në Greqi vjen ndërkohë që varianti Delta dominon në vendin fqinj dhe ka shkaktuar një valë të re infektimesh.
Gika Majorkinis, anëtar i Komitetit të Ekspertëve thotë se varianti Mu i koronavirusit “është monitoruar prej kohësh dhe se për momentin përhapja e tij është në kontroll të plotë. Sidoqoftë, ai thotë se ka vend për shqetësim, pasi varianti i ri përmban mutacione që e bëjnë atë më efektiv kundër imunitetit të ofruar nga vaksinat.
“Nëse jemi të rrezikuar nga Delta, i cili po ashtu po prek të infektuarit, duhet të jemi dyfish të shqetësuar nga varianti Mu, i cili, sipas monitorimit të deritanishëm, duket se godet më të njëjtën forcë si ata që kanë imunitet, dhe ata që nuk kanë”, thotë eksperti.
Në fakt, rezultatet e një studimi të ri në Greqi tregojnë se në mesin e atyre që nuk janë të vaksinuar, Delta dyfishon rrezikun e shtrimit në spital, duke bërë vala e katërt e pandemisë të prekë kryesisht ata që kanë refuzuar vaksinën.
Megjithatë, edhe pse vaksinat mbrojnë kundër shtrimit në spital dhe simptomave serioze në rastin e variantit Delta, vaksinimi duket të mos ofrojë mbrojtje serioze kundër variantit Mu.
Mjekët e Klinikës Terapeutike të Athinës zbuluan pas një studimi se mosha mesatare e të infektuarve me variantin Delta ishte 29 vjeç, ndërsa me variantin Alfa ishte 31 vjeç. Siç tregojnë të dhënat, “rreziku i shtrimit në spital brenda 14 ditëve ishte më i lartë për ata që infektoheshin me Delta, në krahasim me variantin Alfa. Por edhe pse nuk ka studime të mirëfillta për variantin Mu, ekspertët grekë thonë se rreziku i shtrimit në spital pas infektimit më të këtë mutacion është më i madh, pasi ai po tejkalon imunitetin e fituar nëpërmjet vaksinimit./ SI