
Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, viziton Shkollën e Mesme Komunale “Dr. Ibrahim Temo” në Strugë
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani, realizoi një vizitë zyrtare në Shkollën e Mesme Komunale “Dr. Ibrahim Temo” në qytetin e Strugës. Gjatë kësaj vizite, Ambasadori u prit nga drejtoresha e shkollës, znj. Besime Jonuzi, si dhe nga stafi pedagogjik i këtij institucioni arsimor me traditë.
Vizita u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ku u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe përfaqësive diplomatike, me qëllim nxitjen e vlerave arsimore, kulturore dhe kombëtare në mesin e të rinjve shqiptarë.
Ambasadori Meidani vlerësoi punën dhe përkushtimin e shkollës në edukimin e brezave të rinj dhe shprehu mbështetjen e Ambasadës për projekte që ndihmojnë në avancimin e arsimit të mesëm në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut. Ai theksoi se investimi në arsim është investim në të ardhmen dhe se të rinjtë shqiptarë duhet të kenë kushte sa më të mira për zhvillimin e tyre arsimor dhe profesional.
Nga ana e saj, drejtoresha Jonizi e informoi Ambasadorin për aktivitetet dhe sfidat e shkollës, duke theksuar rëndësinë që ka ky institucion për komunitetin lokal dhe për zhvillimin e një arsimi cilësor dhe gjithëpërfshirës.
Kjo vizitë përbën një tjetër hap në forcimin e lidhjeve mes institucioneve arsimore në vend dhe përfaqësive diplomatike të Republikës së Shqipërisë, me synim përkrahjen e të rinjve në rrugëtimin e tyre drejt dijes dhe suksesit.