
Nga Lindim Etemi (Struga Ekspres)
Struga, dy muaj para fushatës zgjedhore: Gjuetia e votave dhe rikthimi te “të fortët”
Struga ka filluar të ndodhet nën tensionin e një vale të re politike që po përhapet me shpejtësi dy muaj para fushatës të zgjedhjeve lokale të tetorit.
Partitë politike në Strugē, gjithmonë nē këtē periudhē, në vend që të promovojnë
programe e vizione, janë kthyer në gjueti – por jo për ide, për vota. Dhe jo kudo, por pikërisht aty ku pushteti përkthehet më shpejt: tek kokat e fiseve, tek “të fortët”, tek ata që kontrollojnë lagje, fshatra apo struktura informale.
Në terrenin politik të Strugës, nuk bëhet fjalë më për bindje apo debat demokratik. Loja ka rregulla të tjera. Strukturat tradicionale klanore po aktivizohen si kanale të sigurta për transferimin e votave, me premtime për vende pune, tenderë lokalë apo thjesht pushtet simbolik brenda komunitetit. Partitë nuk konkurrojnë më kush ka ide më të mira për zhvillimin e qytetit, por kush arrin të blejë më shumë ndikim përmes aleancave me “kokat vendimtare”.
Kjo situatë nuk është as e re, as e panjohur. Por rreziku këtë herë është më i madh: gjuetia e votave me një torbë me para po e çon Strugën drejt një modeli paralel të qeverisjes, ku zgjedhjet bëhen sa për sy e faqe, ndërsa vendimet reale merren në tavolina të mbyllura mes partive dhe përfaqësuesve joformalë të terrenit.
Kjo është një tragjedi për demokracinë lokale.
Fshatrat përreth Strugës, që dikur jetonin në heshtje me hallet e veta, sot janë kthyer në fusha presioni, ku “kush voton keq, e pëson pas zgjedhjeve”. Politika i ka dhënë me vetëdije kontrollin atyre që, përmes frikës dhe patronazhit, e kthejnë procesin zgjedhor në teatër. Vota e lirë në këto kushte është një iluzion.
Nëse Struga dëshiron të shpëtojë nga ky rreth vicioz, zgjidhja nuk vjen vetëm nga “ndryshimi i partisë”. Vjen nga refuzimi i kulturës së përuljes ndaj të fortëve, nga angazhimi qytetar real dhe nga një media e pavarur që i jep zë problemeve të vërteta.
Ndryshe, çdo tetor do të jetë i njëjtë: një stinë premtimesh false, marrëveshjesh të errëta dhe gjuetie votash që e dëmton të ardhmen e një qyteti që meriton më shumë.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)