
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor “Transporter” dhe ka vënë në pranga një 43-vjeçar, i cili u kap duke transportuar 23 kg e 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Dyshohet se lënda narkotike do të transportohej në Kosovë.
Sipas njoftimit, u arrestua shtetasi L. Ç., 43 vjeç, banues në Kosovë.
Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Ura e Stafukës”, fshati Larushk, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin tip “Skoda” që drejtohej nga 43-vjeçari, në brendësi të të cilit, gjatë kontrollit, u gjetën dhe u sekuestruan disa pako me 23 kg e 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që dyshohet se do të trafikohej në drejtim të Kosovës.
Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të implikuar./vizionplus.tv