Marina amerikane tha se destrojeri me raketa USS Milius veproi në kuadrin e një operacioni për lirinë e lundrimit pranë brezit të ishujve Spratly, të gjendur mes Vietnamit dhe Filipineve, për të demonstruar të drejtën e “përdorimit të ligjshëm të deteve”.
Marina amerikane tha se luftanija USS Milius demonstroi se kjo zonë nuk i përket një zone territoriale detare, sipas ligjit ndërkombëtar.
Marina amerikane kryen rregullisht udhëtime pranë ishujve Spratly në Detin e Kinës Jugore, për të protestuar ndaj atyre që i quan “pretendime të tepruara detare” të Kinës.
Kina ka krijuar mijëra hektarë ishuj artificialë përgjatë brezit të këtyre ishujve dhe pretendoi të hënën se Shtetet e Bashkuara kishin “kaluar ilegalisht”.
Pekini pretendon sovranitet mbi çdo aspekt të Detit të Kinës Jugore, me synimin për të kufizuar lundrimin dhe për të ndalur aktivitetin e ligjshëm tregtar të anijeve nga Filipinet dhe Vietnami. Krahas Kinës, pretendime rreth sovranitetit të këtyre ishujve kanë edhe Brunei, Malajzia, Filipinet, Tajvani dhe Vietnami.
“Shtetet e Bashkuara mbrojnë parimin e lirisë së lundrimit për të gjitha vendet. Për sa kohë disa vende vazhdojnë të pretendojnë dhe të ushtrojnë kufizime ndaj të drejtave duke tejkaluar autoritetin e tyre sipas ligjit ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbrojnë garantimin e të drejtave dhe lirive në det për të gjithë. Asnjë pjesëtar i komunitetit ndërkombëtar nuk duhet të frikësohet apo të shtrëngohet të heqë dorë nga liritë dhe të drejtat e tij”, thuhet në një deklaratë të marinës amerikane.
Operacioni amerikan u zhvillua ndërsa Kina ka dërguar të hënën të paktën dymbëdhjetë luftanije dhe 70 avionë luftarakë drejt Tajvanit, në ditën e tretë të stërvitjeve ushtarake, që filluan pasi presidentja e Tajvanit u takua javën e kaluar me Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy në Los Anxhelos.
Qeveria e Tajvanit tha se iu përgjigj lëvizjeve të Kinës duke përgatitur flotën e saj dhe sistemet tokësore të mbrojtjes me raketa.
Ministria e Jashtme e Kinës ka kritikuar ashpër takimet mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre tajvanezë. Partia Komuniste Kineze ka thënë se dëshiron të marrë kontrollin e Tajvanit, një ishull demokratik, brenda vitit 2027 dhe se është e gatshme të përdorë forcën, nëse është e nevojshme.
Ndihmësi Sekretari amerikan i Mbrojtjes për Çështjet Publike, Chris Meager, u tha gazetarëve të hënën se Pekini nuk duhet ta përdorë vizitën e udhëheqëses tajvaneze në Kaliforni si “pretekst për një reagim të tepruar”.
Ai tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbajnë kanale të hapura komunikimi me Republikën Popullore të Kinës, por se deri më tani, Pekini ka refuzuar kërkesat për angazhim me Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin dhe me Shefin e Shtabit, Gjeneralin Mark Milley.
Grupi luftarak detar USS Nimitz dhe një grup amfib detar ndodhen aktualisht në rajon dhe zoti Meagher tha se do të vazhdojnë atje operacionet e rregullta.
“Do të vazhdojmë kalimin e sigurtë dhe të përgjegjshëm në detet dhe qiejt e Paqësorit perëndimor, në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, tha ai të hënën./VOA/