Lajmi i vendosjes së trupave paqeruajtëse ruse në rajonet e Donetsk-ut dhe Luhansk-ut, pas njohjes së tyre si autonome nga Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka lënë jo pak të shokuar qytetarët ukrainës, disa prej të cilëve gjenden rrugëve të Kievit dhe janë të gatshëm të mbrojnë vendin e tyre.
“Jam i shtangur”, thotë një 22-vjeçar, i cili e ka origjinën nga Donetsk-u. Me profesion kuzhinier, ai është larguar prej andej, por, për Agjencinë Franceze të Lajmeve (AFP), ka thënë se me mendje e zemër, është atje.
Artem Ivaschenko, e përshkroi njohjen që Putini i bëri rajoneve, si “lajmin më të frikshëm” që prej aneksimit të Krimesë në vitin 2014.
“Unë jetoj këtu. Një pjesë të atdheut tim e kam humbur. Na u mor! Ne do ta mbrojmë me çdo kusht atë”.
Edhe gratë nuk janë më pas për sa i përket situatës.
Maria Levchyschyna, një rezidente në Kiev, ka thënë për median Associated Press, se nuk e kupton përse Rusia duhet të njohë si autonome zonat rebele.
“Nëse fqinjët ju vijnë në derë dhe ju thonë se dhoma është e tyrja, do t’ju interesonte opinioni i tyre? Është shtëpia juaj. Gjithmonë do të jetë e juaja!”, përkufizoi ajo situatën.
Në vijim, ka shtuar po ashtu se Moska mund të njohë çfarë të dëshirojë, por në pikëpamjen e saj, kjo gjë mund të shkaktojë luftë, sepse njerëzit normalë, luftojnë për vendin e tyre.
Tensionet janë të larta sakaq dhe ato çfarë priten, janë sanksionet perëndimore të radhës kundrejt Rusisë dhe Vladimir Putinit vetë.