Aktivistja 29-vjeçare dhe pedagogia e ekonomisë Frozan Safi u qëllua për vdekje në Afganistan. Ajo është mbrojtësja e parë e të drejtave të grave, që vritet që kur talebanët u kthyen në pushtet në Kabul rreth 3 muaj më parë.

Ajo ishte zhdukur prej rreth dy javësh, më 20 tetor, ndërsa trupi i Frozan Safit u identifikua në një morg në qytetin Mazar-i-Sharif.

“E kemi njohur nga rrobat. Plumbat ia kanë shkatërruar fytyrën”, tha motra e saj, e cila është mjeke. “Kishte plagë plumbash gjithandej, në kokë, zemër, gjoks, veshka dhe këmbë. Unaza e saj e fejesës dhe çanta i ishin marrë të dyja”, shtoi ajo, raporton The Guardian.

Të enjten, forcat e sigurisë talebane sollën trupat e dy grave të paidentifikuara që ishin qëlluar për vdekje në spitalin provincial të Balkh. Ato ishin gjetur së bashku me trupat e dy burrave në një shtëpi në Mazar-i-Sharif, tha Zabihullah Noorani, drejtor i talebanëve për çështjet e informacionit dhe kulturës në provincën Balkh, i cili sugjeroi se ato mund të kishin qenë viktima të një “marrëveshjeje personale”. Policia tha se është duke hetuar rastin.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Vdekjet tregojnë ndjenjën e përhapur të frikës në Afganistanin e kontrolluar nga talebanët, ku një valë vrasjesh hakmarrëse të njerëzve të lidhur me qeverinë e mëparshme ka nxitur një atmosferë konfuzioni.

Që nga mesi i gushtit, gratë kanë mbajtur protesta të rregullta mbarëkombëtare kundër talebanëve, duke kërkuar që të rikthehen dhe mbrohen të drejtat e tyre.