Ish-deputetja Rudina Hajdari i ka kushtuar një dedikim babait të saj, Azem Hajdarit, në 23-vjetorin e vrasjes së tij.

 

Ndërsa e cilëson guximtar dhe idealist, Hajdari shkruan se ajo gjithmonë e kujton të atin si “njeriun e njerëzve të thjeshtë që luftonte me burokracinë dhe padrejtësinë”.

 

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Ëndrra e tij, thekson ish-deputetja ishte një Shqipëri e lirë dhe demokratike, ku njerëzit e ndërtojnë jetën e tyre me besim e pa frikë për të ardhmen e fëmijëve. Mirëpo, fatkeqësisht, shton Hajdari, kjo ëndërr e tij ende nuk është bërë realitet.

 

Shkrimi i plotë:

Kur Azem Hajdari doli nga godina e PD mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, ai nuk e dinte se nuk do të kthehej më. As nuk e dinte se do të linte mbas një boshllëk në zemrat tona, të familjarëve të tij por edhe në të gjithë historinë që pasoi më pas vendin.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Babi nuk ishte një njeri normal. Përgjatë rrugëtimit tim politik në Shqipëri e kam ndier prezencën e tij të fortë edhe mbas 23 vitesh. Në fshatra e mbanin mend si deputetin e tyre të parë dhe të fundit, njeriu i vetëm që ishte kujdesur të sillte ujë dhe infrastrukturë aty ku qeveria kishte shekuj që i kishte harruar. Në qytet e mbajnë mend si njeriun e njerëzve të thjeshtë që luftonte me burokracinë dhe padrejtësinë.

Azemi ishte luftarak, idealist, guximtar dhe ëndërrimtar. Veti këto të cilat nuk i kemi parë më në skenën politike shqiptare. Ëndrra e tij ishte një Shqipëri e lirë dhe demokratike, ku njerëzit e ndërtojnë jetën e tyre me besim e pa frikë për të ardhmen e fëmijëve. Fatkeqësisht kjo ëndërr ende nuk është bërë realitet dhe sot dua të flas pak mbi arsyet përse kjo ka ndodhur.

Ata që e zvarritën vendin në rrugëtimin e tranzicionit pafund politik, me qëllim i sabotuan institucionet dhe mekanizmat demokratikë me synimin për ta vendosur shtetin në shërbim të interesave të tyre personale e familjare. Kështu për 30 vite, shteti, buxheti, pasuritë natyrore etj, nuk i shërbyen mirëqenies së përgjithshme por interesave të vetëm një grupimi i cili është pasuruar përtej çdo imagjinate, teksa shqiptarët ose janë varfëruar ose kanë emigruar ose ëndërrojnë të emigrojnë teksa ndiejnë se s’kanë të ardhme në këtë vend.

Kur i sheh sot të ankohen për mungesë demokracie brenda partive të tyre, të vjen të qeshësh e të qash njëkohësisht. Të qeshësh sepse janë viktima perfekte të krijesave të tyre dhe të qash për nivelin e hipokrizisë që shfaqin. Aq keq është dëmtuar shteti shqiptar nga ata që e drejtuan këto 30 vite, aq shumë i kanë shtrembëruar mekanizmat demokratikë, aq shumë i kanë vendosur në kontroll të gjitha burimet e vendit, saqë shoqëria e ka të pamundur sot të vetëkorrigjohet dhe u duhet patjetër ndihma e aleatëve si SHBA të cilëve u duhet të përdorin peshën e rëndë të reputacionit dhe mekanizmat e tyre penalizuese në betejën për të ndërtuar një shtet të vërtetë shqiptar.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Nëse partitë politike do të ishin ndërtuar me parimin demokratik dhe do të funksiononin si të tilla, debati në Shqipëri do të ishte shumë i shëndetshëm. Sot nuk do të flisnim për individë por për çështje. Nuk do të diskutonim për fatin e familjeve politike që kanë grabitur vendin për 30 vite por për fatin e familjeve të thjeshta shqiptare.

Përshembull sot në vend që të debatonim për nivelin e ushqimit që do i privohet një familjeje politike për shkak të një vendimi që SHBA ka marrë, debati duhet të shkonte drejt dëmit që i është bërë qindra mijëra familjeve në nevojë nga rritja e papritur dhe arbitrare e çmimit të bukës. Kryeministri në vend që të mblidhte letrat e teatrit politik në parlament, duhet të mblidhte gjithë bizneset e miellit dhe të merrte masa që kjo të mos ndodhte ose të krijonte kushte rimbursim për ata që nuk e përballojnë dot.

E pra, si ky rast ka me mijëra. Në fakt 30 vite i kemi shpenzuar duke mos debatuar për vendin, për fëmijët, për rininë, për familjet shqiptare por vetëm e vetëm për fatin e 3-4 familjeve politike të cilat ia kanë dalë të ngrenë një sistem të mbyllur i cili nuk ka shumë diferencë nga sistemi monist për nga mënyra se si funksionin.

Nëse atëherë të internonin apo burgosnin kur nuk mendoje në linjën e partisë, sot të përjashtojnë dhe lincojnë publikisht. Nëse atëherë të pushkatonin fizikisht, sot të pushkatojnë politikisht dhe ekonomikisht. Shqipëria do të dalë nga kjo situatë kur shumica e shqiptarëve të kuptojnë se mirëqenia dhe zhvillimi nuk vijnë nga lideri i fortë por nga sistemi i drejtë dhe institucionet e forta të cilat garantojnë demokracinë, lirinë dhe barazinë. Kur të fillojnë të mos mbështesin më parti e individë sepse prej tyre varet ushqimi i ditës por të mbështesin vizionin për ndërtimin e një sistemi i cili tu garantojë mirëqenie gjithë jetën. Kur të vendosin të mos luftojnë më thjesht për mbijetesë por për të ndërtuar një të ardhme të sigurt.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Drejtuesit venë e vijnë, sistemi dhe institucionet mbeten dhe i rezistojnë kohës. Nëse Azemi do të ishte sot mes nesh, do të luftonte pikërisht për këtë. Në fakt energjia dhe kurajo e tij me siguri do ta kishin ndryshuar rrjedhën e historisë.