Në zgjedhjet lokale në Kroaci të mbajtura këtë të diele, shumica e zgjedhësve në qytete të mëdha kanë vendosur për ndryshime progresive.
Të lodhur me betejat mes dy partive “kryesore” (“konservatorëve” të HDZ-së dhe “socialdemokratëve” të SPD), që konsiderohen si përgjegjëse për klientelizëm dhe korrupsion, qytetarët kanë bërë ndryshime pothuaj revolucionare:
– Në Zagreb kryetar i ri i qytetit është zgjedhur Tomisllav Tomasheviq, aktivist urban dhe ambientalist. Ka marrë fund kështu epoka e Millan Bandiqit, ndërkohë të vdekur, i cili kishte sunduar si pasha rreth dy dekada dhe konsiderohej i përlyer nga shumë afera e skandale.
Tomasheviq ishte kandidat burimor, jo i importuar. Si aktivist shumëvjeçar kundër keqmenaxhimit të qytetit, ai ishte i njohur dhe i besueshëm për qytetaret dhe qytetarët.
– Në Split ka fituar kandidati liberal Ivica Pulak, duke i dhënë fund sundimit të HDZ-së së diskredituar.
– Rijeka mbetet qytet i majtë: Marko Filipoviq quhet kryetari i ri. Ai është anëtar i Partisë Socialdemokrate.
– Në qytetet e mëdha vetëm në Osijek ka fituar kandidati i HDZ-së.(E.Robelli)