Mijëra punonjës të pavaksinuar të shëndetësisë nga e gjithë Greqia, marshuan të dielën në rrugët e Athinës, dhe kërcyen para parlamentit për t’i kërkuar qeverisë të rikthehen në punë pa e marrë vaksinën e koronavirusit.
Në shtator, qeveria greke e bëri të detyrueshëm vaksinimin për të gjithë punonjësit e shëndetësisë duke pezulluar nga puna të gjithë ata që nuk kishin marrë të paktën një dozë. Sipas organizatorëve të protestave, stafi i shëndetësisë që ka refuzuar të marrë vaksinën është rreth 5 mijë.
“Demokraci” apo “heronjtë e se djeshmes, sot të pezulluar” shkruhej në banerat e disa prej protestuesëve. “Ne kemi të drejtën që si individë të lirë në një vend demokratik, të bëjmë çfarë të duam me trupat tanë. të zgjedhim nëse duam t’i nënshtrohemi një procedure ose jo. Protestuesit thonë se aftësia e variantit Omicron për të prekur edhe të vaksinuarit e bën masën të padrejtë”, thotë një nga protestueset, Vasiliki Tzavazou.
“Është e padrejtë pasi kolegët tanë të pavaksinuar po e marrin dhe po e transmetojnë COVID-19 dhe ata po punojnë normalisht. Por ne jemi pezulluar, pa të drejtë page apo kontributesh për pensionet apo sigurimi shëndetësor”, thotë një tjetër.
Jashtë parlamentit, protestues nga Kreta të veshur më kostume popullore, kërcyen valle tradicionale ndërsa të tjerët bllokuan rrugët dhe përplasnin duart. Protestuesit u solidarizuan edhe më lëvizjen e ashtuquajtur “Autokolona e lirisë” e nisur nga kamionistët në Kanada që kundërshtojnë urdhrin “vaksinohu ose karantinohu”. Protesta nxiti organizimet ë ngjashme edhe në SHBA, Zelandën e Re dhe Australi.