Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd ka kërkuar sot zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi dhe mbajtjen në përgjegjësi e autorëve të vrasjes mbetet prioritet sa u përket raporteve dypalëshe me Serbinë.
Ambasada e SHBA-së në Beograd thotë se nuk do ta harrojë asnjëherë një krim të tillë dhe se ka kërkuar nga autoritetet serbe që të vendosin drejtësi për rastin. Ajo ka thënë se rasti i tre vëllezërve Bytyqi, Yllit, Agronit dhe Mehmetit, ilustron nevojën urgjente që Serbia të hetojë rastet e pazgjidhura të krimeve të luftës dhe të fokusohet në fuqizim të sundimit të ligjit.
Ambasada ka bërë këtë deklaratë në përvjetorin e 22-të të zhdukjes së vëllezërve Bytyqi, sa kanë qenë në mbajtje të policisë speciale të Serbisë.
Trupat e tyre më vonë janë gjetur në një bazë në Petrovo Sello, në lindje të Serbisë.
“Vëllezërit Bytyqi janë ekzekutuar, janë qëlluar në kokë me duar të lidhura mbrapa shpinës, dhe edhe pas dy dekadave nuk ka hetim të plotë. Ne nuk mundemi dhe nuk do ta harrojmë këtë krim. Sjellja e drejtësisë për vëllezërit Bytyqi dhe familjet e tyre, si dhe mbajtja përgjegjës e atyre që kanë kryer dhe fshehur vrasjet e tyre, vazhdon të jetë prioritet për marrëdhëniet tona bilaterale me Serbinë”, është thënë në reagimin e Ambasadës.
Më 7 korrik, Prokuroria për Krime të Luftës në Serbi ka thënë se është duke mbledhur prova të reja me qëllim që të “përcaktohet identiteti” i autorëve të vrasjes së vëllezërve Bytyqi më 1999.
Agron, Mehmet dhe Yll Bytyqi, shtetas amerikanë, me prejardhje nga Kosova, janë arrestuar në vitin 1999 në Serbi, për shkak të kalimit të paligjshëm të kufirit.