Më mirë t’i marrësh para borxh një familjari apo një miku të afërm sesa të trokasësh në dyert e bankave.
Kështu të paktën tregon vrojtimi i fundit nga Banka e Shqipërisë në gjysmën e parë të vitit, ku 39% e qytetarëve që janë pyetur kanë pohuar se kanë borxhe te të afërmit e tyre.
Kjo shënon një rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, edhe pse vetë qytetarët shprehen se në disa raste është më mirë të marrësh kredi në bankë.
“Tek banka mund t’i marrësh dhe të paguash avash avash.”
“Më mirë në bankë. Tek banka është më mirë se sa të marrësh tek të afërmit.”
“Që t’i marrësh borxh motrës, vëllait, kushuritit apo mikut që punon në diasporë është krim, por megjithatë ata na mbështesin.”
Nga ana tjetër vrojtimi tregon se në 47% të rasteve të raportuara, huamarrja e familjeve rezulton në formën e kredisë nga institucione financiare duke rënë me 5% në krahasim me janar-gushtin e vitit të kalaur.
“Së pari ka mungesë besimi që kanë klientët ndaj bankave për shkak se ato kanë luhatje për sa I përket interesave dhe nuk janë gjithmonë të qarta për qytetarët dhe kjo bën që njerëzit të stepen duke ditur që marrëdhëniet me bankën kanë dhe penalitetet e veta nëse nuk shlyen këstet e kredive në kohë”, shprehet sociologu Gëzim Tusha.
Pjesa më e madhe e borxhit që kanë shqiptarët në institucionet bankare apo tek të afërmit e tyre shkojnë për konsum duke zënë 33% të qëllimit të përdorimit të huasë./vizionplus.tv
