DW: Struga po boshatiset masovisht
Struga, qyteti buzë liqenit që dikur njihej për gjallërinë, kulturën dhe energjinë rinore, sot përballet me një krizë të thellë shoqërore. Rrugët që dikur mbusheshin me të rinj janë gjithnjë e më të zbrazëta, ndërsa statistikat flasin qartë: 61% e të rinjve struganë do të largoheshin nga qyteti nëse do t’u jepej mundësia. Në dy dekadat e fundit, numri i të rinjve në Strugë është ulur për gati 40%. Kjo nuk është më vetëm një shifër është realiteti i përditshëm i një qyteti që po humb frymën e tij rinore.
Arsyet për këtë largim masiv janë të dhimbshme dhe të dukshme. Pasiguria ekonomike është në krye të listës, e ndjekur nga korrupsioni, partitizimi dhe mungesa e meritokracisë. Shumë të rinj ndihen të huaj në qytetin e tyre, të lodhur nga fakti që edhe për shërbimet më elementare shpesh kërkohen lidhje dhe favore. Ky sistem i padrejtë i ka shtyrë gjeneratat e reja të kërkojnë shpëtim diku tjetër, duke parë emigrimin si mundësinë e vetme për një jetë më të mirë.
Struga po plaket me shpejtësi. Shumë familje tashmë e kanë parë ikjen e fëmijëve të tyre si të pashmangshme, ndërsa qyteti mbetet gjysmë i zbrazët për pjesën më të madhe të vitit. Vetëm gjatë javëve të verës, kur mërgimtarët kthehen për pushime, Struga merr frymë, sheshet mbushen dhe qyteti duket sikur rikthehet në jetë. Por kjo gjallëri është e përkohshme, një iluzion që nuk mund ta fshehë boshatisjen që po e dëmton qytetin çdo ditë e më shumë.
Nëse ky trend vazhdon me këtë ritëm, qyteti rrezikon të humbasë jo vetëm gjeneratën e re, por edhe potencialin për të qenë qendër e gjallë kulturore dhe shoqërore. Struga sot nuk po përballet vetëm me një krizë demografike, por me një betejë për mbijetesë si qytet.