Nga Lindim Etemi-(Struga Ekspres)

Ka nga ata që janë gati të fusin qytetin në “zjarr” për përfitime politike, vetëm që të fitojnë vota. E dinë që nuk kanë ç’të ofrojnë. Nuk kanë projekte, nuk kanë vizion, nuk kanë ndershmëri. Prandaj e luajnë kartën më të vjetër dhe më të ndyrë të politikës ballkanike: përçarjen etnike.

Zgjedhjet lokale të tetorit në Strugë po sjellin me vete një hije të njohur por të urryer: frikën. Por jo frikën nga humbja e ndershme në një garë demokratike. Jo frikën nga dështimi për të bindur qytetarët me ide, projekte e vizion.

Po, në Strugë, fushata për zgjedhjet e tetorit rrezikon të marrë karakter etnik. Dhe kur politika bëhet etnike, nuk është më betejë për zhvillim, por betejë për përçarje. Nuk ka më projekte për kanalizime, rrugë apo shkolla, por vetëm ulërima të vjetra si: “Ata do t’ju marrin vendin!”, “Ne duhet të ruhemi nga ata!”, “Ose ne, ose ata!”

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Nga kjo përfitojnë, vetëm ata që nuk kanë asgjë tjetër për të ofruar.

Kur politikanët janë të zbrazët, ata nuk nxjerrin ide por nxjerrin helm. Dhe kur nuk kanë projekte për Strugën, e kthejnë Strugën në fushëbetejë etnie. E vetmja mënyrë që disa prej tyre dinë për të mbajtur pushtetin, është t’i nxisin njerëzit të kenë frikë nga fqinjët e tyre. Ta kthejnë qytetin në një hartë “ne kundër tyre”. E në këtë lojë të fëlliqur, të gjithë humbasim.

Kur zgjedhjet bëhen etnike, qyteti mbetet i palarë, i papunë, i pashpresë.

Asnjë pompë uji nuk ndërtohet nga thirrjet boshe për identitet. Asnjë fëmijë nuk mëson më mirë në shkollë kur mëson urrejtje, që flet gjuhë tjetër. Dhe asnjë familje nuk e ushqen më mirë fëmijën kur politikanët e ndajnë Strugën në “tonët” dhe “të tyret”.

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";

Nuk është etnia që ndërton qytetin. Janë idetë. Është puna. Janë projektet. Dhe është bashkëpunimi.

Prandaj, të dashur struganë, shqiptarë, maqedonas, vllehë, turq, romë, bëjeni këtë fushatë të zgjedhjeve të tetorit ndryshe. Mos i lini politikanët t’ju përdorin si mish për top në betejat e tyre personale për pushtet. Pyesni për plane konkrete. Kërkoni zgjidhje reale. Mos votoni për identitete boshe, votoni për njerëz që e duan qytetin dhe të gjithë banorët e tij pa dallim.

Sepse nëse nuk i ndalojmë sot, nesër do të jemi edhe më të ndarë, edhe më të varfër, edhe më të lodhur.

Dhe në fund, të gjithë do të jemi pis.
Lindim Etemi (Struga Ekspres)

Advertisement
google_ad_client = "ca-pub-9470492314070355"; google_ad_slot = "5632655076"; google_ad_width = 300; google_ad_height = 250; google_page_url ="http://www.zhaku.net/";