VMRO-DPMNE dhe VLEN në Strugë nuk arriti të gjejë gjuhë të përbashkët për zgjedhjen e kryesuesit të Këshillit Komunal. Edhe pse pika për zgjedhjen e kryesuesit u fut fillimisht në rend dite, e vetmja marrëveshje që dy palët arritën ishte ta tërhiqnin atë. Kjo ndodhi pavarësisht se koalicioni AKI kishte paraqitur kandidatin e vet për këtë funksion. Menjëherë pas heqjes së pikës nga rendi i ditës, tetë këshilltarët e AKI-së braktisën seancën, duke deklaruar se vendimi është marrë në kundërshtim me rregulloren dhe statutin e komunës.
VMRO-ja, ndërkohë, mes kërkesave të veta ka përfshirë edhe marrjen e drejtimit të Këshillit si dhe pozicionin e Sekretarit të Komunës së Strugës. Këshilltari i VMRO-DPMNE-së, Mite Stevoski, theksoi se nuk po zhvillohen negociata formale me asnjë subjekt dhe se Këshilli është organ i pavarur. Ai shtoi se një zgjidhje do të gjendet sapo të krijohen kushtet për shumicë të qëndrueshme dhe përzgjedhjen e kryetarit të këshillit, ndërsa vendimet përfundimtare do të merren në nivele më të larta partiake.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, u bëri thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë për funksionimin e institucioneve.
Seanca konstituive e sotme u karakterizua edhe nga ndërprerje, pasi dy këshilltarë të VMRO-së dhe një këshilltar i së Majtës shkarravitën emrin e ri kushtetues,”Maqedonia e Veriut”.
(Struga Ekspres)