Aston Martin sapo ka nxjerrë në shitje një prej makinave më të shpejta dhe të fuqishme që ka prodhuar ndonjëherë. Prodhuesi britanik e ka quajtur makinën më të re Victor, një model tepër i rrallë që ka në përbërje pjesë nga mjete te ndryshme të prodhuara së fundmi nga Aston Martin, si One-77, Vulcan dhe Valkyrie. Për të qëndruar në sintoni me modelet e veta më të shtrenjta, Aston Martin i ka vendosur një çmim prej 2 milionë paundësh modelit Victor.

Si të gjitha makinat e veçanta, Victor është krijuar në divizionin “Q” të Aston Martin, frymëzuar nga James Bond. Me një motor 7,3 litra me 12 pistona, Victor ka 836 kuaj fuqi që, i shoqëruar me marshe manuale, do t’i ofrojë shoferit emocionet e makinave tradicionale. Aston Martin thotë se kjo është makina më e fuqishme për përdorim në rrugë që ka ndërtuar ndonjëherë.