
Një gazetar i shquar i krimit në Holandë u plagos rëndë, pasi u qëllua në një rrugë në Amsterdam, të martën mbrëma.
Policia tha se Peter R de Vries u dërgua në spital në gjendje serioze.
Transmetuesi kombëtar NOS tha se ai u sulmua disa minuta pasi u shfaq në një emision televiziv.
NOS citoi dëshmitarët që thanë se de Vries u qëllua në kokë.
Në të kaluarën, gazetarit i është dhënë mbrojtje nga policia, pasi ka marrë kërcënime, për shkak të përfshirjes në çështje penale si gazetar hulumtues.
Kryetarja e Amsterdamit, Femke Halsema, tha se gazetari “po lufton për jetën e tij”, ndërsa sulmin e cilësoi si “mizor dhe të pashpirt”.
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, tha se lutet për jetën e de Vries dhe shtoi se “gazetaria e lirë është thelbësore për shoqërinë”.
Policia tha se tre persona janë arrestuar në lidhje me sulmin./ REL