
Tetova u trondit nga një zjarr i rënë në një nga spitalet Covid gjatë mbrëmjes së djeshme. Të paktën 14 pacientë kanë humbur jetën ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ky bilanc tragjik të përkeqësohet.
Lidhur me ngjarjen gazetari Seladin Xhezari në një lidhje telefonike për “ABC-ja e Mëngjesit” është shprehur se zjarri ka rënë rreth orës 21:02, ndërsa në spital raportohet se kanë qenë rreth 26 persona.
Gazetari ka theksuar se në këtë spital më 23 gusht të këtij viti iu dëmtuan tubat e oksigjenit dhe të ajrit të kondensuar por policia ende nuk e ka zbardhur çështjen.
“Burime të brendshme dhe dëshmitarë okular tregojnë se ka pasur një zjarr të madh dhe nuk u ka dhënë hapësire punonjësve të ikin. Zjarri ka qenë i papritur. Dyshohet se kanë shpërthyer bombolat e gazit. Shpërthimi ka ndodhur diku rreth orës 21:02. Deri në shpërthim raportohet se ka pasur 24 apo 26 të punësuar në këtë spital. Raportohet se 4-5 persona kanë mundur të dalin nga spitali covid.
Më 23 gusht ka pasur një përpjekje sabotimi dhe ka pasur dy dëmtime të tubave që çojnë oksigjen dhe ajër në këtë spital. Nuk është zbardhur se kush dhe pse u dëmtuan dy tubat. Në atë kohë numri i viktimave do të kishte qenë më i lartë”, u shpreh gazetari.