
Zoran Zaev ka dhënë dorëheqjen nga posti i Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe kryetarit të LSDM-së pas humbjes së thellë në balotazhin e zgjedhjeve vendore që u mbajtën të dielën.
Me dorëheqjen e tij skemat kanë mbetur të hapura se cila do të jetë lëvizja e radhës, ndërsa mediat maqedonase citojnë Kushtetutën, se çfarë ndodh kur kryeministri jep dorëheqjen.
Në Nenin 93 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut thuhet se “dorëheqja e kryetarit të Qeverisë, vdekja e tij apo pengesa e përhershme për kryerjen e funksionit, sjellin edhe dorëheqjen e Qeverisë. Qeverisë i ndërpritet mandati kur të shpërbëhet Kuvendi. Qeveria së cilës i është votuar mosbesimi, e cila ka dhënë dorëheqje apo së cilës mandati i është ndërprere për shkak të shpërbërjes së Kuvendit, mbetet në funksion deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.
Ndërkohë, neni 219 i Rregullores për punën e Kuvendit, citon se “Qeveria, Kryetari i Qeverisë apo anëtar i Qeverisë mund të japin dorëheqje. Dorëheqja e Qeverisë apo të kryetarit të Qeverisë, dorëzohet te kryetari i Kuvendit në formë të shkruar dhe mund të arsyetohet…Më pas kryetari i Kuvendit e dorëzon në Kuvend kërkesën dhe tek presidenti i Shtetit”.
Në nenin 220 thuhet se “Kuvendi në seancën e parë, pa debat, konstaton se kryetarit të Qeverisë apo ndonjë anëtari të Qeverisë i ndërpritet mandati në ditën e mbajtjes së seancës”.