Doli në përgjimet e Antimafias italiane, Prokuroria Speciale në Mal të Zi nis hetimet për presidentin Gjukanoviçin

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Doli në përgjimet e Antimafias italiane, Prokuroria Speciale në Mal të Zi nis hetimet për presidentin Gjukanoviçin

Prokuroria Speciale në Mal të Zi ka nisur një hetim për presidentin e vendit Milo Gjukanoviç pas publikimit të përgjimeve nga autoritetet italiane për dosjen “Taçi” dhe skemën e larjes së parave.

Mësohet se prokuroria a do të marrë në pyetje presidentin Gjukanoviç, ndërkohë që ky i fundit i ka mohuar akuzat, por ka shprehur gadishmërinë për t’iu përgjigjur ftesës së drejtësisë.

Përgjimet e publikuara në mediat nxirrnin se Rezart Taçi kishte përfshirë Gjukanoviçin në transferimin e parave në Prva Bank. Banka është në pronësi të Aco Gjukanoviç, vëllai i presidentit. Taçi garantonte se do të fliste me mikun e tij president, dhe do ta zgjidhte situatën në Malin e zi, përmes transferimit të parave në Prva Bank. Gjukanoviç i mohoi pretendimet gjatë një konference shtypi në Cetinje.

“Është një aferë tërësisht e fabrikuar. Unë nuk e di kush janë njerëzit, as kam pasur kontakt me ta në asnjë mënyrë…ky është një falsifikim i plotë, por këto falsifikime janë bërë një lloj praktike në jetën politike në Mal të Zi”.- tha Gjukanoviç.

Advertisement

Banka Prva gjithashtu mohoi pretendimet dhe tha se mediat thjesht po përpiqen të dëmtojnë bankën dhe aksionerët e saj. Prokuroria malazeze konfirmoi se kishte hapur një hetim për rastin. Ndërkohë, Gjukanoviç, i cili është gjithashtu lider i opozitës, ka thënë se ai mbështet “çdo iniciativë” për të hequr qeverinë aktuale.

“Unë nuk kam asnjë problem me këtë sepse e di se si kam punuar dhe duhen vetëm disa ditë që ato skandale të shemben si një kullë letrash” tha Gjukanoviç.  Ai theksoi se sot askush nuk i përmend më letrat e Pandorës dhe as nuk do të përmendet te kjo aferë. Një gjykatë në Palermo po heton nëse Rezart Taçi dhe disa shtetas italianë pasi kanë pastruar më shumë se 22 milionë euro.

Dosja e prokurorisë mbi planin e pastrimit përmes Shqipërisë të 18.399.996 eurove, të cilat dyshohet se i përkasin Cosa Nostras. Protagonist i kësaj dosjeje është Rezart Taçi, i akuzuar nga SPAK për “pastrim parash” dhe sot i shpallur në kërkim. Ish-biznesmeni shqiptar i naftës, sipas dosjes, jo vetëm vuri në dispozicion njohjet e tij në Mal të Zi dhe në Shqipëri për të lejuar transferimin e shumës nga parajsat fiskale deri në Singapor, por u bë personalisht garant me pasurinë e tij, nëse ato mbi 18 milionë euro do të humbnin.

Prapaskenat e bujshme zbulohen në faqet e dosjes, ku prokuroria e Palermos tregon që Rezart Taçi ka folur direkt në telefon me pronarin e shumës së madhe, Francesco Zummo, 90 vjeç, të cilit gjykatat italiane i kanë konfiskuar një pasuri prej më shumë se 150 milionë euro të konsideruara të prejardhura nga Cosa Nostra. Francesco Zummo, edhe ky i arrestuar tashmë, ka qenë një nga ndërtuesit më të mëdhenj të Palermos dhe krahu i djathtë i Vito Cianciminos, ish-kryebashkiak i kryeqendrës siçiliane, i konsideruar si arkëtari i Mafias.

Advertisement

Më 5 gusht 2021 SPAK informoi prokurorinë e Palermos nga ku u arrit më pas në arrestimet e pak ditëve më parë: ajo e Palermos bëri arrestimin e tre italianëve, ndërsa SPAK atë të dy shqiptarëve. I vetmi që nuk ka përfunduar ende në burg është pikërisht Rezart Taçi, i shpallur në kërkim e që prej vitesh nuk jeton më në Shqipëri./ Report TV

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy