Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se është e shqetësuar për rritjen e rasteve të infektimeve me Covid-19 në Evropë.
Duke folur për BBC-në, drejtori Rajonal i OBSH-së, Hans Kluge paralajmëroi se rreth 500 mijë vdekje mund të regjistrohen deri në muajin Mars, nëse nuk ndërmerren veprime urgjente.
Ky paralajmërim vjen pasi javët e fundit shifrat e infektimeve me virusin vdekjeprurës në Evropë kanë thyer rekorde duke shtuar edhe numrin e personave të cilët kanë humbur jetën.
Kluge tha me tej se janë një numër faktorësh që kanë ndikuar në këtë situatë përfshirë vaksinimin e pamjaftueshëm, sezonin e dimrit dhe variantin shumë të transmetueshëm Delta.
Ai sugjeroi gjithashtu mbajtjen e maskave dhe këshilloi njerëzit të vaksinohen. Përsa i përket masave për vaksinim të detyruar, ai tha se kjo duhet të konsiderohej si një zgjidhje e fundit.
Së fundmi Austria është bërë vendi i parë në Evropë që do ta kthejë procesin e vaksinimit në një detyrim ligjor të qytetarëve, një mase kjo që hyn në fuqi në Shkurtin e vitit 2022.