
Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka vijuar serinë e gafave të saj në qëndrimet ndërkombëtare, këtë herë në gazetën më të rëndësishme të Greqisë “To Vima”.
“Ne nuk po lutemi për njohje nga Greqia sepse tashmë na njohin anëtarët kryesorë të BE-së dhe NATO-s”, ka deklaruar Gërvalla për To Vima, e cila i ka dhënë një hapësirë në Ballinë kësaj interviste. Ka reaguar menjëherë Adri Nurellari, publicist dhe njëkohësisht anëtar kryesie i Partisë Demokratike të Kosovës.
Nurellari e konsideron këtë intervistë si “tone prepotente të paprecedentë”.
“Nuk e kuptoj dot si mund të përdoret një gjuhë e tillë arrogante e nënçmuese kafenesh në diplomaci. Në kushtet e Kosovës kjo lloj pseudo-diplomacie mund të quhet ‘dhi e zgjebosur me bishtin përpjetë’.
Jo vetëm diplomacia e Kosovës, por edhe ajo e vendeve të fuqishme duhet karakterizuar nga e folura me takt, kujdes, respekt, përultësi e mirësjellje. Një ndër rregullat e artë në diplomaci është që të shmangen shprehje negative e lënduese të tipit ‘nuk ka ç’na duhet njohja e Greqisë përderisa kemi tashmë njohjen e të fuqishmëve’.
Është për të ardhur keq kur e sheh shtetin e Kosovës të katandisur kështu në dorë amatorësh e diletantësh’, shkruan Nurellari.
To Vima shkruan ndër të tjera se Zëvendëskryeministrja e Kosovës dhe ministrja e Jashtme e Diasporës, ishte në Athinë ditët e fundit, shpjegon se vendi i saj po kërkon marrëdhënie më të ngushta me Greqinë, të cilën ajo e përshkruan si një “aktor të rëndësishëm dhe të mençur” në Ballkan.
Në të njëjtën kohë, ajo insiston në nevojën që dialogu Beograd-Prishtinë të jetë kuptimplotë, duke argumentuar se Serbia duhet të pranojë “që Kosova është dhe do të mbetet vend i pavarur”. Në këtë kuadër, ajo kërkon që Athina të luajë një rol ndërmjetësues në këtë çështje, duke theksuar qartë orientimin perëndimor të vendit të saj.
TemA