Gjykata e Lartë rihap garën për anëtarë të Kushtetueses

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Gjykata e Lartë rihap garën për anëtarë të Kushtetueses

Gjykata e Lartë ka rihapur procedurën e aplikimit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë.

 

Kandidatët që konkurrojnë për mandatin e gjyqtarit kushtetues të zgjedhur nga Gjykata e Lartë duhet të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm që vërteton plotësimin e kushteve dhe kritereve që parashikon neni 7/a i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, i ndryshuar.

 

Advertisement

NJOFTIMI I PLOTE

Për rihapjen e procedurës së aplikimit për anëtar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Bazuar në nenin 125, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që përcakton kompetencën e Gjykatës së Lartë për zgjedhjen e tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në nenin 7/ç, pika 1 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe në nenin 26, pika 2 të ligjit nr. 98/2018 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, kryetari i Gjykatës së Lartë, pas njoftimit të vendit vakant nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, shpall hapjen e procedurës së aplikimit në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të internetit.

 

Referuar njoftimeve të shpallura tashmë nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese për 3 vendet vakante, në datë 09.01.2017: 27.09.2018 dhe 14.02.2019, kryetari i Gjykatës së Lartë ka bërë shpalljen publike për plotësimin e tyre, përkatësisht në datat 16.01.2017: 21.11.2018: 19.04.2019. Në tri thirrjet e para ka rezultuar një numër i pamjaftueshëm i kandidatëve. Kjo situatë është bërë shkak për moszhvillimin e procedurave të mëtejshme nga ana e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, me qëllim plotësimin e vendeve vakante të gjyqtarëve kushtetues nga Gjykata e Lartë. E njëjta situatë është krijuar edhe për 1 nga vendet vakante, të shpallur në thirrjen e katërt, në datë 03.06.2021, konkretisht për znj. Vitore Tusha, mandati i së cilës ka përfunduar.

Advertisement

 

Me shkresën nr. 286. prot, datë 23.12.2021, kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi i është drejtuar kryetarit të Gjykatës së Lartë, me të cilën e ka vënë në dijeni se, “në respektim të parimit të konkurrencës së përzgjedhjes së më të mirit”, është detyruar të pezullojë ecurinë e procesit për këtë vend vakant. Mbi këtë situatë të krijuar, kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, referuar vendimit nr. 31, datë 22.12.2021, i ka kërkuar Gjykatës së Lartë, si organ emërtesë që të vlerësojë sipas ligjit “rishpalljen e thirrjes për paraqitjen e kandidaturave në vendin vakant të gjyqtares Vitore Tusha”.

 

Në kushte të tilla, kryetari i Gjykatës së Lartë rishpall thirrjen për plotësimin e vendit vakant të nkrijuar nga mbarimi i mandatit të gjyqtarit Gjykatës Kushtetuese, për pjesën e mbetur të mandatit 9 vjeçar, që përfundon në muajin mars 2025. Afati i pranimit të kërkesave të kandidatëve është 30 ditë nga data e publikimit të njoftimit. Pas përfundimit të këtij afati, Gjykata e Lartë i përcjell Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dokumentacionin e paraqitur nga kandidatët për vlerësimin e kushteve dhe kritereve të emërimit të tyre në Gjykatën Kushtetuese. Kandidatët që konkurrojnë për mandatin e gjyqtarit kushtetues të zgjedhur nga Gjykata e Lartë duhet të paraqesin dokumentacionin e nevojshëm që vërteton plotësimin e kushteve dhe kritereve që parashikon neni 7/a i ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000, i ndryshuar, si vijon:

Advertisement

 

Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:
a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë
c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një
vepre penale;

d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.

Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:
a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;

Advertisement

c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral.
Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:
a) vjetërsisë në profesion;
b) përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
c) kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të
drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës; ç) treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
d) ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
dh) informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.

 

Lista e kandidatëve do të bëhet publike në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, me qëllim që institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë t’u jepet mundësia të paraqesin pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy