Organizata joqeveritare dhe institucionet e Kosovës kanë organizuar më 7 mars protestë solidarizuese me popullin e Ukrainës, i cili po përballet me agresionin nga Rusia.
Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ambasadorë të akredituar në Kosovë, gazetarë e përfaqësues të shoqërisë civile.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani para gazetarëve ka thënë se institucionet e Kosovës kanë treguar të gjithë gatishmërinë e tyre për të i dalur në ndihmë popullit të Ukrainës.
“Institucionet tona kanë treguar gatishmëri se të gjitha kapacitetet që i kemi për pritjet e refugjatëve t’i tregojmë, për më tepër Kosova ka treguar gatishmëri që të ju jep mbështetje edhe gazetarëve dhe po ashtu duke i lejuar që të zhvillojnë profesionin e tyre këtu në Kosovë”, ka thënë Osmani.
“Është me rëndësi ta dimë se sa e nevojshme është ndihma e Kosovës në raport me popullin e Ukrainës”
E pyetur nëse ka kontaktuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Osmani është shprehur se akoma nuk kanë arritur që të kontaktojnë në mënyrë direkte me të.
“Në fakt jo shumica kanë kontaktuar me presidentin e Ukrainës, ne kemi kontaktuar me ambasadat e Ukrainës natyrisht që ata janë të vetëdijshëm për të gjitha masat që i ka marrë Ukraina dhe po ashtu janë të vetëdijshëm se cili është rajoni që po vazhdon të qëndrojë në krah të Putinit e natyrisht ajo është Serbia”.
Ndërsa, Dajana Berisha, drejtoreshë ekzekutive e forumit për iniciativa të qytetarëve, organizatë kjo e cila e ka thirrur këtë protestë solidarizuese ka thënë se i gjithë ky organizim është bërë për të treguar solidaritet ndaj Ukrainës.
“Ky i sotmi është një aktivitetit në vazhdën e aprovimit të rezolutës prej qeverisë së Kosovës në mbështetje të popullit të Ukrainës, ne jemi këtu për të shpreh solidaritetin e popullit të Kosovës, në rrafshin njerëzor institucional ndaj popullit të Ukrainës”.
“Jemi këtu për tu u përcaktuar për pozicionin tonë me vlerat perëndimore mbarë perëndimore ne momentet mjaft të vështira që po i kalon populli të Ukrainës si rrjedhojë e inovacionit dhe agresionit të federatës ruse”.
Tutje, Berisha është shprehur se e mbështetin pafundësisht popullin e Ukrainës edhe “për faktin që Kosova dhe shqiptarët historikisht i kanë përjetuar të gjitha vështirësitë dhe padrejtësitë që janë bërë në jetat e tyre”.
Ndryshe, në mbledhjen e ardhshme të ekzekutivit, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se do të paraqes kërkesën për pranimin e 5 mijë refugjatëve nga Ukraina.