
Nga Mimoza Kelmendi
21 marsi – Dita ndërkombëtare kundër racizmit synon zbutjen e këtij fenomeni në të gjitha kultururat dhe kontinentet. Ndër iniciativat më të suksesshme gjermane është edhe projekti “Të mësojmë të jetojmë së bashku”. Ky është njëfarë formimi politik për shoqërinë e imigrimit duke bërë të qartë potencialin e saj; se shoqëria e imigrimit është fakt dhe si i tillë duhet njohur e pranuar; se ajo paraqet një shans në rast se trajtohet siç duhet. Një demokraci e pjekur mund të durojë mjaft larmi kulturore dhe gjuhësore, por jo ama kultura të veçanta, të ndara prej njëra – tjetrës e madje të pozicionuara kundër njëra-tjetrës. Politika demokratike ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm, pra edhe emigrantë, të cilët janë në gjendje të përfytyrojnë se ata dhe fëmijët e tyre do të bëhen qytetarë të tillë. Sepse shoqëria multikulturore, po t’i shkosh në thelb, nuk duhet të njohë vendas dhe të huaj, nuk duhet te njohe kulturë që vendos kritere për jetën e përbashkët…………e kjo me sa duket do shumë kohë të arrihet.
Ideologjitë që më parë ishin tabu si: racizmi, antisemitizmi, nacionalizmi, seksizmi, islamofobia, anticiganizmi, islamizmi dhe zhvlerësimi i refugjatëve po shprehen lirshëm dhe duket se janë bërë tashmë të pranueshme nga shoqëria. Fenomene të tilla të pabarazisë, duke e vendosur veten si person mbi të tjerët dhe duke i zhvlerësuar të tjerët ekzistojne jo vetëm në shoqërinë gjermano – germane por edhe brenda komuniteteve të migrantëve. Madje një fenomen i tillë po ndeshet kohëve të fundit në gjithë Evropën. Është një ironi e hidhur edhe fakti që: Racizmi, i cili në thelb synon përjashtimin e tjetrit dhe të huajit vetë është një fenomen që nuk njeh kufi. Si në kohën e kolonializmit evropian e të tregtisë me skllevërit, ku zezakët tregtoheshin si njerëz të klasës së fundit, ashtu edhe në epokën e Rajhut të tretë me holokaustin, apo në genocidin në Ruandë – racizimi ka ekzistuar dhe ekzsiton në të gjitha epokat, kulturat dhe kontinentet.
Niveli i racizmit edhe në Gjermani është duke u rritur. Po pse?
Nga njëra anë është “banalizimi i shprehjeve ksenofobe si pasojë e ndikimit në rritje të partive ekstremiste”, fjalori i të cilave po zë vend ngadalë në gjuhën e politikanëve dhe të medies. Nga ana tjetër është shtimi i numrit të grupeve neonaziste të gatshme për dhunë, të cilat kërkojnë epërsinë e një race si dhe shtimi i nxitjes së urrejtjes kundër myslimanëve apo të krishterëve. Në fakt diskriminimi është i ndaluar në Gjermani dhe vetë racizmi nuk është një fenomen gjerman. Edhe brenda bashkësive të migrantëve, grupet po radikalizohen, duke shfaqur ide ekstremiste të djathta, ultra-nacionaliste, fetare-ekstremiste . Natyrisht që edhe vetë emigrantët në Gjermani janë të shqetësuar për ksenofobinë.
Sipas sondazheve të fundit jo vetëm që ksenofobia në Gjermani është në nivele të larta, por ajo është në rritje. Edhe pse mbi 300 programe antiraciste zvillohen ne Gjermani, përsëri racizmi është në rritje. Sipas ekspertëve, nxënësit me një sfond migrimi shpesh trajtohen jo njësoj në sistemin arsimor gjerman. Përveç kësaj, populizmi i djathtë midis gjermanëve po rrit ekstremizmin e migrantëve sepse ata ndihen të zhvlerësuar. Dëgjon shpesh: Kush po i merr vendet e punës në Gjermani? Kush po i merr apartamentet? Kush po jeton në kurriz të shtetit? Sigurisht, gjithmonë ekziston një imazh armik. Dhe ky imazh armiku ndodhet në thelb në kontekstin e të ardhurve refugjatë ose të migrantëve. Pra bëhet fjalë për sulme të paargumentuara.
Ndërkohë Gjermania përfiton ekonomikisht nga migrantët, qoftë vetëm sepse rinovojnë një shoqëri të plakur. Madje refugjatët nuk i marrin vende pune gjermanëve, por kryesisht kryejnë punë që asnjë gjerman nuk dëshiron ta bëjë. Pavarёsisht pёrpjekjeve tё mёdha humanitare, duhet qё brenda Gjermanisë tё bёhet mё shumё punё bindёse. Sepse njё pjesё e popullsisё duket se nuk e ka tё qartё, qё tё drejtat e njeriut vlejnё pёr tё gjithё banorёt.