
Ujëra detare greke shpesh herë të kthyera në varrezë për qindra emigrantë, mbrëmjen e djeshme kanë përmbytur varkën e radhës. Roja bregdetare ka mundur të shpëtojë 9 emigrantë me kombësi iraniane, egjiptiane dhe afgane.
Varka me vela me 68 emigrantë në bord besohet se ishte nisur nga brigjet e Izmirit para se të përmbysej pranë një ishulli shkëmbor.
Ekipet greke të shpëtimit e kanë zhvilluar operacionin në kushte të vështira për shkak të motit të keq, ndërsa shpresa për të gjetur të mbijetuar të tjerë është venitur. Sipas marinës, 9 emigrantët e shpëtuar nuk kishin veshur jelek shpëtimi.
Ende vijojnë kërkimet për 59 të tjerët. Në operacion janë angazhuar edhe helikopterë dhe dy anije të rojës bregdetare.
Fluksi i emigrantëve të cilët nisen nga brigjet e Azisë së Vogël apo dhe Afrikës së Veriut në tentativë për të mbërritur në vendet e Bashkimit Evropian, shpesh ka përfunduar me ngjarje tragjike.
Mungesa e koordinimit mes autoriteteve greke dhe atyre turke nuk e kanë ndaluar aspak këtë veprimtari vdekjeprurëse.