
Pas trysnisë së madhe nga aleatët e saj, Gjermania ka miratuar të mërkurën e 25 janarit dërgesat e tankeve të teknologjisë së lartë për beteja, Leopard 2, të cilat Ukraina dhe mbështetësit e saj më të mëdhenj perëndimorë shpresojnë se do t’i ndihmojnë ndjeshëm Kievit në luftën kundër pushtuesve rusë.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka konfirmuar se Berlini nuk do të paraqesë asnjë pengesë që Polonia – mbështetësja më e zëshme e Ukrainës ndër fqinjët nga Bashkimi Evropian – të dërgojë, siç ka kërkuar, tanke Leopard 2, nga arsenali i saj, matanë kufirit, në Ukrainë. Dhe, Gjermania po ashtu ka vendosur që edhe vetë t’i dërgojë Ukrainës tanke të tilla, teksa më herët kishte paralajmëruar se implikimet e një hapi të tillë duhej të shqyrtoheshin me kujdes.
I hedhim një vështrim rëndësisë së këtyre tankeve për mbrojtjen e Ukrainës përballë forcave ruse – dhe shpresave për zmbrapsjen e tyre.
Çfarë është Leopard 2?
Krauss-Maffei Wegmann, prodhues i Leopard 2-shit, e cilëson atë si “tankun më të mirë në botë për betejë”, i cili për gati gjysmë shekulli ka kombinuar aspektet e fuqisë, mbrojtjes, shpejtësisë dhe manovrueshmërisë, duke e bërë atë të përshtatshëm për shumë lloje të situatave të luftimit.
Tanku me peshë prej 55 tonësh ka vend për një ekuipazh prej katër personash, rreze veprimi prej rreth 500 kilometrash dhe shpejtësi maksimale prej rreth 68 kilometrash në orë. Versioni më i hershëm i tankut, i cili tani ka katër variante kryesore, hyri në përdorim në vitin 1979. Arma e tij kryesore është një top 120-milimetërsh, ndërsa ai ka një sistem krejtësisht digjital të kontrollimit të të shtënave.
Sa mund t’i dërgohen Ukrainës?
Një element tërheqës i tankeve të prodhuara nga Gjermania është numri i tyre: Më shumë se 2.000 të tilla janë dërguar në mbi dhjetë vende evropiane dhe në Kanada. Në përgjithësi, Krauss-Maffei Wegmann thotë se mbi 3.500 tanke u janë dërguar 19 vendeve.
Rheinmetall AG, një kontraktues gjerman i mbrojtjes, i cili prodhon topin 120-milimetërsh për Leopard 2-shin, thotë se tanku përdoret “nga më shumë shtete se cilido tjetër lloj”.
Sipas një analize të fundit nga Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike, një qendër analitike globale me seli në Londër, rreth 350 Leopardë – të versioneve të ndryshme – janë dërguar në Greqi, ndërsa Polonia ka rreth 250 të tillë. Finlanda i ka 200 në përdorim apo në magazina.
Për luftën e Ukrainës kundër Rusisë, “besohet se, në mënyrë që tanket Leopard 2 të kenë ndonjë efekt të ndjeshëm në luftë, nevojiten rreth 100 tanke”, kanë thënë analistët e Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës dëshiron 300 tanke, ndërsa disa udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian e mbështesin kërkesën e tij.
“Neve na duhet një flotë prej 300 tankesh”, ka thënë ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, të hënën, në Bruksel, duke iu referuar përhapjes së gjerë të Leopardëve nëpër Evropë, dhe nevojës për armatim “sinkronik” – që mund të operojë mirë bashkërisht.
Dhënia e Leopardëve nuk është aq e lehtë sa dërgimi i tyre matanë kufirit nga miqtë më në perëndim, në Evropë. Instituti Ndërkombëtar për Studime Strategjike llogarit se tankistëve dhe stafit mbështetës do t’iu nevojitej trajnim prej tri deri në gjashtë javë për të arritur aftësim bazik.
Ralf Raths, drejtor i Muzeut të Tankeve në Mynster, Gjermani, ka thënë se tankistët ukrainas me përvojë mund të arrijnë të mësojnë përdorimin e tankeve Leopard 2 mjaft shpejt, dhe se trajnimi mund të shkurtohet për t’u fokusuar në njohuritë esenciale.
“A duhet patjetër të shfrytëzohet 100 përqindëshi i potencialit, apo mjafton të shfrytëzohet 80 përqindëshi për gjysmën e kohës? Ukrainasit me siguri do të votonin për opsionin B”, është shprehur ai.
Çfarë dallimi do të bënin Leopardët në luftë?
Yohann Michel, analist hulumtues për çështje ushtarake dhe të mbrojtjes, në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike, ka thënë se tanket e tilla do t’i mundësonin Ukrainës të hynte në ofensivë në luftën 11-muajshe, ku ka pasur ngecje prej muajsh pas dy kundërofensivave të rëndësishme ukrainase, të cilat rimorën zona të okupuara nga forcat ruse prej muajsh, në verilindje dhe në jug.
“Në këtë lloj konflikti, thjesht nuk është e mundshme të kryhen ofensiva të mëdha pa llojllojshmërinë e plotë të pajisjeve të blinduara luftarake dhe të autoblindave, dhe tanket janë pjesë e tyre”, ka vlerësuar ai. Përveç tankeve kryesore për betejë, si Leopard 2, përfshihen edhe automjetet luftarake të këmbësorisë dhe transportuesit e blinduar të personelit.