
Ish-zëvendës presidenti amerikan Mike Pence do të dëshmojë mbi përpjekjet e Donald Trump dhe aleatëve të tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.
Pence ka marre një kërkesë zyrtare për paraqitje të detyrueshme nga prokurori i posaçëm Jack Smith, i cili po drejton hetimet ndaj ish-kreut të Shtëpisë së bardhë.
Skenari i jashtëzakonshëm se ish-zv.presidenti mund të dëshmojë kundër ish-shefit të tij në një hetim penal vjen ndërsa Mike Pence po konsideron fillimin e një fushate presidenciale për zgjedhjet e vitit 2024 kundër Trump.
Marrëdhëniet mes tyre u ftohën pasi një turmë e mbështetësve te ish presidentit sulmoi Kapitolin më 6 janar të vitit 2021, në përpjekje për të ndërprerë certifikimin e fitores se demokratit Joe Biden. Mbështetësit e Trumpit të shtyrë nga pretendimet e tij se zgjedhjet ishin vjedhur marshuan drejt ndërtesës së Kapitolit, thyen dritaret dhe dyert.
Një komitet i Dhomës së Përfaqësuesve që hetonte sulmin e 6 janarit rekomandoi që Departamenti i Drejtësisë të ngrejë akuza penale kundër Donald Trump dhe bashkëpunëtorëve që e ndihmuan atë të nisë një fushatë në përpjekje për të përmbysur humbjen në zgjedhjet e vitit 2020.