
Një hap historik është shënuar për mbrojtjen e oqeaneve dhe shumëllojshmërisë së krijesave.
Pas më shumë se 40 vjetësh, anëtarët e Kombeve të Bashkuara janë dakordësuar në parim për marrëveshjen e Detit të Hapur, që shndërron rreth 30% të sipërfaqes detare të planetit, në zonë të mbrojtur brenda vitit 2030, me synim ripërtëritjen e specieve të ndryshme të rrezikuara.
Marrëveshja e fundit për mbrojtjen e oqeaneve është firmosur në vitin 1982, por mbronte vetëm 1% të sipërfaqes së detit të hapur, term që nënkupton sipërfaqen e ujërave ndërkombëtare, ku çdo vend ka të drejtë të peshkojë ose të shfrytëzojë resurset, më së shumti mineralet që ndodhen 200 metra në thellësi, praktikë kjo e përdorur kryesisht nga disa vende ekonomikisht të forta si Kina, India, Rusia, Shtetet e Bashkuar dhe Gjermania.
Me marrëveshjen e re do të ketë një kufizim domethënës mbi sasinë e peshkut, por edhe mbi rrugët tregtare të lundrimit, që shkaktojnë ndotje. Ambientalistët e kanë konsideruar “një ditë historike, dhe një shenjë që në një botë të ndarë, mbrojtja e natyrës mund të triumfojë ndaj politikës.”